Nga: Mujib Mashal

KABUL– Udhëtimi i tyre i dëshpëruar jashtë Afganistanit drejt Europës shpëtimtare ishte i gjatë dhe i rrezikshëm. Për muaj me radhë kapërcyen male të lartë dhe kaluan shkretëtira të pamata. U shpëtuan plumbave, rrahjeve brutale dhe fyerjeve nga rojet kufitare. Banditët u grabitën gjithçka kishin me vete përveç rrobave të trupit dhe këpucëve. Rrobat i lanin kudo që mundeshin në pellgje me ujë, në pishina më pas i thanin në rrezet e Diellit. Por udhëtimi ndaloi papritur në Turqi. Ata u deportuan në vendin e tyre në Afganistanin e gjunjëzuar nga luftërat. Unë udhëtova me ta në rrugën e kthimit nga Stambolli në Afganistan. Ky udhëtim do të thotë për ta fundi i shpresave për një jetë më të mirë. Nga dritaret e aeroplanit, 60 afganë të rinj të cilët udhëtonin për herë të parë më avion shikonin poshtë tokën. Buzëqeshin me realitetin mizor, teksa shpjegojnë ndjesitë e tyre. “Na u desh kaq shumë të mbërrinim deri këtu, ndërsa tani udhëtimi për tu kthyer në shtëpi është kaq i shkurtër vetëm 5 orë” më thotë Mohammed Dawood, 19 vjeç.

Zoti Dawood është nga distrikti Bati Kot, një vend në lindje të Afganistanit, e cila është ende nën regjimin e Talibanëve dhe besnikëve të ISIS. Ai mori rrugën për të shkuar në Europë pasi tre nga miqtë e tij u vranë nga një shpërthim me eksplozivë që ndodhi gjatë një loje kriketi. “Ata ishin si mua dhe ti, një nga miqtë e mi do të martohej. Boll më i thashë vetës!” më rrëfen. Prej muajit janar Turqia ka deportuar më shumë se 17,000 afganë sipas zyrtarëve në Afganistan, shumica kishin si destinacion final Europën. Rreth 1,200 persona të tjerë janë kthyer nga shtete të tjera europianë dhe aziatik, vullnetarisht apo përmes forcës.

Turqia është shteti ku pjesa dërmuese e refugjatëve sirianë, afganë, irakenë etj hipin në mjete lundruese për të kaluar përmes detit në Europë. Në vitin 2016 teksa Europa u përball me një numër të madh refugjatësh u arrit një marrëveshje ku Turqia do të përfitonte 6 miliardë dollarë ndihma po të frenonte kalimin e tyre në dyert e Europës.

Nga 850.000 refugjatë që do të kishin mbërritur në Europë përmes Turqisë nga deti në 2015, numrat ranë në 173,000 vitin e kaluar sipas Kombeve të Bashkuara. Gjatë vitit 2018 vetëm 29,000 njerëz mbërritën në Europë nga deti.

Kalimi në Europë është vështirësuar, mijëra afganë vazhdojnë të mbërrijnë në Turqi përmes Iranit. Qeveria turke me shpejtësi po i kthen të sapo ardhurit në vendet përkatëse. “Policët turq na thonë se po ju dërgojmë në shtëpi pasi krerët e shtetit kanë rënë dakord me argumentin se popullsia afgane është në rënie” thotë Fazul Rahman, 21 vjeç. Për të rinjtë afganë asgjë nuk ka sens, marrëveshja me Europën apo ndonjë ujdi e qeverisë së tyre për deportim. E si mund t’ua mohojnë të drejtën për një jetë më të mirë? E shikojnë kështu: Ata përpiqen të ikin, kapen dhe prapë përpiqen. Tashmë në këtë moment, janë zhytur në sediljet e tyre drejt shtëpive në Afganistan, një vend që vazhdimisht del në lajmet e kronikës për shpërthime e sulme. Disa nga këta djem përpiqen të venë në punë ekranet që kanë përpara sediljeve. Të tjerë janë mirënjohës për vaktin e ngrohtë që u serviret pas kaq shumë muajsh: qoftë me oriz dhe perime. Këpucët i kanë hequr për të shplodhur këmbët e dërrmuara. Një stjuardesë kalon çdo një orë duke spërkatur aromatizues. Disa djem nuk dinë si të hapin derën e tualetit, stjuardesa rend ti ndihmojë ta hapin.

“Kemi përjetuar uri të madhe. Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi shijuar ushqim të gatuar mirë” thotë 19-vjeçari Abdul Mohammed. Djali me bluzë të zezë është i dobët “Për 15 ditë na kanë mbajtur në një vend ku na jepnin vetëm një fetë bukë, një copë ëmbëlsirë dhe pak ujë për të pirë”.
Zoti Mohammed, nga provinca Maidan Wardak ka punuar për tre vite me bagëti të imta si bari. Puna e tij ishte marshimi për ditë të tëra me kopenë e deleve nëpër male e shkretëtira për ta çuar kopenë në anën tjetër të kufirit në Pakistan. Ai thotë se puna si bari ku me vete kishte vetëm një qen për ta ruajtur ishte një hiç në krahasim më atë që përjetoi e pa gjatë rrugës për të shkuar të Turqi. Rojet në kufi u kishin vendosur armën në kokë. Për disa ditë marshuan, mbajtën një shok që kishte dëmtuar këmbën. Kushëriri i tij Akbar Khan, ishte marrë nga policia në Iran dhe nuk kishin dëgjuar më asnjë fjalë nga ai.
“Kjo nuk është asgjë, ti nuk e imagjinon dot çfarë tmerresh kam parë”- thotë Mohammed.
Por avioni u ul, Ezzatullah Tanha, 21 vjeç do merrte autobuzin për në Dand e Ghori në provincën veriore të Baghlanit. Komandot afganë kishin luftuar shumë në këtë vend kundër talibanëve
Zoti Tanha vjen nga një familje fermerësh. Bashke me tre vëllezërit mbjellin qepë dhe shalqi. Babain e ka humbur kur ishte tre vjeç në vitin 90’ nga një minë që shpërtheu në rrugë. Zoti Tanha i pagoi 1500 dollarë një trafikuesi për ta kaluar në Iran.

“Ishim 33 njerëz të ngjeshur në një kamion”-duke iu referuar kamionëve që i kalojnë përmes shkretëtirave të Afganistanit, Pakistanit dhe Iranit.

“Trafikuesit nga thonin uluni përtokë, por vetëm gjysma e njerëzve mund të uleshin për të tjerët nuk kishte vend”. Zoti Tanha thotë se në kufi rojet vazhdimisht qëllonin me armë drejt tyre. Ai pa dy trupa të vdekur përgjatë rrugës, i kishin lënë atje në shkretëtirë. Dikujt iu thye shpina keq, trafikantët e lanë në tualet që mos ta shikonin policët. Më pas të gjithë u larguam. Ajo që pashë mu neverit”.

Kur avioni u ul në pistën e Kabulit në orën 7.00 të mëngjesit me orën lokale, asnjë nuk lëvizi. Pasagjerët qëndruan ulur. Mu duk sikur prisnin ndonjë mrekulli të ndodhte, prisnin që ky aeroplan të ngrihej e të kthehej nga kishte ardhur. Zbritën njëri pas tjetrit ngadalë… Shumica mbanin nëpër duar vetëm një çantë plastike me emrin e shënuar dhe një numër mbi të për t’ia dorëzuar agjencisë së refugjatëve. Disa kishin veshur sandale, pasi këpucët i kishin lënë pas nëpër male apo shkretëtira. Një djalë zvarriste këmbët i zhgënjyer nga ëndrrat që u thyen, dëshira e tij e vetme ishte një jete më e mirë. Kjo i lexohej në fytyrë. Disa ditë më vonë fola me zotin Tanha, kishte mbërritur në banesë tek familja e tij, e kishte pasur të vështirë tua shpjegonte pse nuk kishte shkuar dot në Europë. Më tha se po priste të mbaronte muaji i shenjtë i Ramazanit për ta provuar serish të ikte. “Do përpiqem sërish. Këtu nuk ka asgjë”-më tha.

(Përktheu për BalkanWeb nga New York Times, Aurora Golemi)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: