Publikohet reportazhi i panjohur i gazetarit rumun Dr. Vlad Banateanu, korrespondent i gazetës “Cuvantul” të Bukureshtit, i cili vizitoi kryeqytetin shqiptar, Tiranën, në vitin 1933 dhe shkroi artikullin me titull: “Tirana, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë” (i botuar fillimisht në gazetën “Cuvantul”), i cili u përkthye më pas nga publicisti e përkthyesi i njohur Anastas Plasari dhe u botua më edhe në gazetën “BESA” të Tiranës, më 4 nëntor të vitit 1933. Këtë reportazh, ku gazetari rumun përshkruan dhe flet me detaje për jetën e kryeqytetit shqiptar të asaj kohe, duke pasqyruar si zhvillimin e as, ashtu dhe disa nga anët e errta të saj, po e japim të plotë në këtë shkrim, duke i qëndruar korrekt edhe gjuhës letrare të asaj kohe, me të cilën ai është botuar në gazetën në fjalë.

Në fillimin e viteve ‘30-të, kryeqyteti shqiptar, Tirana, nën kujdesin e veçantë të qeverive të asaj kohe dhe personalisht të Mbretit Zog, nisi të formonte fizionominë e tij, si një qytet modern i përmasave evropiane. Kjo gjë u bë e mundur edhe në sajë të kontributit dhe punës së disa prej arkitektëve e urbanistëve të huaj, mjaft të njohur në Evropë (si italiani Brazini), të cilët u pajtuan prej Mbretit Zog për të projektuar e ndërtuar në kryeqytetin shqiptar rrugë dhe sheshe të gjera, lulishte e parqe të gjelbëruara, blloqe me vila të luksoze, pallate për punonjësit e administratës shtetërore etj. Të gjitha këto ndërtime që u bënë në atë kohë, e kthyen Tiranën në një vend pelegrinazhi për shumë turistë dhe gazetarë të huaj, të cilët me shkrimet e reportazhet e tyre bënë që kryeqyteti shqiptar të njihej edhe më shumë në sytë e të huajve. Një ndër ata gazetarë që vizituan Tiranën dhe shumë qytete e krahina të Shqipërisë së asaj kohe, ishte dhe rumuni Dr. Vlad Banateanu, i cili punonte për gazetën “Cuvuntul” të Bukureshtit.

Reportazhi i tij: “Tirana, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë” (i botuar fillimisht në gazetën “Cuvuntul”), u përkthye nga publicisti e përkthyesi i njohur Anastas Plasari dhe u botua më pas edhe në gazetën “BESA” të Tiranës, më 4 nëntor të vitit 1933. Këtë reportazh, ku flitet me nota optimiste për kryeqytetin shqiptar të asaj kohe, po e japim të plotë në këtë shkrim, duke i qëndruar korrekt edhe gjuhës letrare të asaj kohe, me të cilën ai është botuar në gazetën në fjalë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Tirana, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë”

Prej pjacë së Tiranë s‘bën disa hapa dhe arrin në rrugën Mbretnore që asht një rrugë moderne. Prej këtej sheh xhaminë e vjetër. Në Tiranë gjen restorante evropianë, kafehane dhe ëmbëltore në të cilat njerzija rrin gjer më 12 të natës duke harxhuar bakllava dhe kadaif. Gratë nuk hyjnë në kafene se këto janë të rezervuara vetëm për burrat. Kur unë bashkë me shoqen time hyra në kafane, si çdo evropian ish një eveniment: Pothuaj u ngritën të gjithë më këmbë që të na shikonin më mirë. Jeta familjare vazhdon të jetë e kufizuar dhe e pushtuar prej supersticionesh dhe traditash të vjetra nga të cilat mezi po largohet gjenerata e re. Shumë gra prej klasës së mesme dhe të ulët, vazhdojnë të mbajnë perçen dhje jo vetëm mohamedanët por edhe të krishterët. Hotelet përgjithësisht janë të pastër ndonëse nuk kanë komfortet t‘ona (përveç hotelet e mirë). Megjith këto në çdo dhomë hoteli gjen mobilie të reja si dysheqe etj. Vetëm një gjë mungon e këtë mund ta konstatosh shumë herë dhe ndër ne; ujë i rrjedhshëm ndër dhomat. Në qytete tash kanë filluar të bëhen kanalizime. Kjo mungesë e mos rregullimit të ujit të mirë rrjedh nga shkaku se duhet sjellë prej vendeve të largëta, prej maleve e kushton shumë. Gjer sa të rezervohet kjo çështje ishin shumë të tjera për të mbaruarë. Prandaj në Tiranën moderne ajo që të bën përshtypje ësht të shohësh ujë të ngarkuar në kafshë, sidomos kur për një kohë të gjatë nuk bije shi, shterojnë puset, dhe ahere ujë shitësit janë në qejf. Kur në Tiranë dhe në qytete të tjerë do të ketë ujë të mjaft në barazim me dritën e elektrikut, do të bëhen shumë ndryshime. Vetëm në një hotel gjeta ujë të rrjedhshëm në një dhomë. Besoj se gjer më sot shumica e hoteleve do ta kenë rregulluar çështjen e ujit dhe në këtë mënyrë do të zhduket dhe një kujtim i vështirë i Orientit. Kudo në Orient ndjehet era e trëndafilit, gjith kështu edhe në Tiranë; banknotat shqiptare e kanë këtë erë të ëmbël dhe karakteristike, sa që beson se në Shqipëri bankënotat mbahen prej grave…në gji. Në rruga dhe nëpër kafane, gjen plot lustro që me kutitë e tyre mbi të cilat kanë varur furçe, ulen, pa i thirrur nëpër këmbë të klientëve që rrijnë me qetësi në kafehane, ia marrin këmbën mbi kuti dhe fillojnë të lustrojnë…! Klienti me indiferencën e tij orientale nuk kundërshton e kështu pranon të bëhen këpucët dy tri herë në ditë vetëm me një lek. Gjithë shqiptarët i shihja me këpucë të lustruara dhe pandehja se e bëjnë nga përkujdesja për pastërti. Fort rrallë shihen njerëz që e heqin këmbën nga kutia e lustraxhiut i cili me hidhërim i shikonte këpucët e llustruara. Sa herë delja nga hoteli, më ndiqnin duke më thënë: Llustro zotni! Ata nuk dinin klush isha unë.

Afër Tiranës të pret një rrugë shumë e kujdesur, e gjerë dhe me pemë nga të dy anët që lëshojnë hije; është Rruga e Durrësit që të shpije afër uzinave elektrike (njëra e një shoqërie italiane dhe tjetra shqiptare) afër kazermave dhe autorepartit. Këtej është dhe një stacion i vogël, por modern i radios (që lidh Tiranën me Vjenën, Zagrebin dhe Brindisin), shkon afër sheshit t‘aeroplanëve ushtarakë dhe civilë (në Shqipëri mund të gjesh aeroplanë që shkojnë në çdo qytet); kështu hyn në qytet me anën e rrugës “Nana Mbretneshë” që të shpije në qendrën e qytetit në pjacën “Skanderbeg”. Në të gjithë kohën e udhëtimit shkon nëpërmjet rrugësh të gjera dhe të mbjella me dru anëve. Çuditesh kur sheh ndërtesa të mëdha të shtetit dhe vila private me stil ultramodern sa që kurrë nuk beson t‘i gjesh këtu.

Dy uzinat elektrike

Dy uzinat e elektrikut ndriçojnë dhe zbukurojnë kudo në mbrëmje, e kur hyn në qytet nuk besohet se je në Shqipëri. Në kohët e para Tirana ka qenë katund. Që në kohët e inidpendencës flitej që Tirana të bëhej kryeqytet nga shkaku i klimës së shëndoshë pozitive së saj në qendër dhe afër Durrësit që është skela kryesore. Q‘ahere qyteti shquhej nga pastërtia dhe shtëpitë e fshehura përgjysmë prapa mureve prej qerpiçi (plitharë) bënin përshtypje të këndëshme. Rrugët përshkonin qytetin në rregull dhe ishin të gjata. Një rrugë, rruga Koço Kotta, është 3 km. e gjatë dhe përshkon lagjen më të vjetër, lagjia Abdulla bej, dhe shpije gjer afër malit të Dajtit. Rrugët janë të gjata sepse dhe qyteti ësht shumë i zgjeruar; zë një sipërfaqe prej 12 km. katror. Më 1880 Tirana ka pasur 20.000 banorë, më vonë ky nymër u pakësua. Nga shkaku i kopshteve shtëpitë janë të fshehura. Kodrat e shumta dhe malet e rrethit i japin një pamje të këndëshme dhe të mrekullueshme. Në lagjet e vjetra rrugët janë të qeta, këtu vazhdon të rrojë jeta orientale. Tirana nuk ka luajtur ndonjë rol me rëndësi në historinë e Shqipërisë; është e një datës së re, ndonëse mbas traditës thuhet që ekziston qysh prej kohës së Skënderbeut. Ky qytet, simbas De Hshunit, ekziston vetëm që më 1600 e ka qenë themeluar prej një të quajturi Sulejman Beu. Traditat thonë se ky Sulejman kishte një shërbëtor i cili mbas një ëndrre të mrekullueshme shkoi në Pallatin e Padishaut dhe atje arriti të behet Vezir. Atehere thirri ish-aganë e tij dhe i dhuroi një çiflig në Shqipëri; në këtë çiflig ndodhej edhe katundi Tiranë, që i pëlqeu këtij dhe prandaj u stabilizua aty ku ngriti edhe një xhami që është edhe sot dhe quhet “Xhamija e vjetër”; është shumë piktoreske dhe ka dekorime të zografuara në mënyrë të këndëshme.

Prishja e ndërtesave të vjetra

Sot Tirana është kryeqytet, dhe në këtë përzijen vjetërsinat orientale me mbi modernizimin e importuar prej ingjinerëve dhe arqitektëve të huaj e të vendit. Qyteti transformohet çdo ditë dhe çdo gjë e vjetër që i qëndron përpara i bije viktimë. Kështu do të sakrifikohen pa sentimentalizma lagjet që sot vazhdojnë të jenë të mbuluara, të heshtura dhe misterioze prej poezisë orientale. Qyteti i ri është krej evropian; nga qëndra e pjacës “Skënderbeg” zgjaten disa bulevarde moderne të gjera të shtruara mirë me ronde të posaçme për lule etj. Çdo gjë që ndodhej përpara ingjinierëve u rrëzua pa mëshirë. Një xhami i vjetër dhe e mirë, “Xhamija e Karapicit”, u shemb fare për t‘i bërë vend Bashkisë, para së cilës janë ngrehur njera pas tjetrës të gjitha godinat e ministrive. Vetëm godina e Parlamentit ka mbetur e vogël dhe modeste sikurse ka qenë bërë në kohën e Indipendencës, asnjeri nuk u kujtua për një tjetër godinë madhështore. Bulevardet më kryesore janë; Bulevardi “Zog i I” dhe Bulevardi “Musolini”, në të cilion ndodhen pothuaj të gjitha legatat. Rruga “Nana Mbretëreshe” dhe ajo “28 Nëntori” (dit e proklamimit t‘indipendencës në Vlorë më 28 nëntor 1912 e cila festohet çdo vit me shkëlqim) përshkojnë dy bulevardetKudo ndërtesa të mëdha me beton arme zënë vëndin e shtëpive të vjetra; godinat zyrtare, hotelet, magazinat etj. Një lagje e posaçme e vilave banohet prej nënpunësve të Shtetit dhe prej të huajve që merren me tregti, industri, etj, shtrihet nga mali Dajt.

Tregu i qytetit që gumzhin

Përveç dy xhamive të vjetra (afër njërës gjendet një kube ku është varrosur themelonjësi i qytetit Sulejman pasha) në qëndër të qytetit është dhe pazari ku pasqyrohet jeta e vjetër qytetare dhe orientale. Rrugët e ngushta të pazarit janë plot me dyqane dhe puntorira të hapura dhe të zëna me mall të katundarëve që i sjellin për shitje. Kallaballëk i madh kudo kur bijen në pazarllëk, blersi me qetësi karakteristike ulet afër mallit të shitësit dhe bisedon me nge, qoftë edhe sikur të mos ujdisin, niset duke pranuar një “t‘u ngjat jeta” të ëmbël. Rrugët buçasin prej çekanëve të teneqexhinjve, këpucarëve, opingaxhijve, që bëjnë opinga prej lëkurësh ose prej kopertonash të prishura t‘automobilave. Këtu shikon shumë fabrikantë fesash,(qeleshe) që i bëjnë prej leshi të bardhë për katundarë dhe të zeza për tregtarë dhe qytetarë. Në këtë pazar mund të shohësh dhe të admirosh punimin e çibukëve dhe pipave shqiptare prej druri, (specialitet i Tiranës) ose mund të admirosh punimet e holla të argjendarëve që bëjnë punë ari dhe argjendi të sistemit venecian.

Muzeu privat i armëve të Eqerem bej Vlorës

Gjith kështu sheh armë t‘argjenda ose pisqol me ar të pastër, jataganë, thika etj; nga këto pashë një koleksion që meritonte admirim të math në muzeun privat të Eqerem Bej Vlorës në Vlorë. Fabrikimi i armëve prej argjendi dhe ari ka qenë specialitet i shqiptarëve që në kohët e para. Aprovizionin e gjith Ballkanin sidomos punimi i Kosovës. Jorganxhijt punojnë në dyqane t‘ hapur, punime të ndryshme mëndafshi. Midis këtyre dyqaneve të vegjël, janë dhe kafehane në të cilat klientët rijnë përdhe dhe thithin kafe prej kualiteti më të mirë. Kafexhiu shpie kafe dhe nëpër dyqanet e zejtarëve ose tregtarëve që i ka afër, këto harxhohen prej të zotëve të dyqaneve ose prej myshterinjve të tyre. Kur kafexhiu merr filxhanat bosh, në vënd të parave, shënon me tebeshir në qepenat e dritares të debitorit. Asnjeriu nuk i shkon në mënd të fshijë shenjat e kafexhiut gjer sa ky të marr të hollat dhe i prish vetë. Kur nuk ka myshteri, shpesh herë edhe para dyqanit shtyp kafe me një havan të math. Më ditët e pazarit, t‘ enjteve, katundarët e gjithqë rrethit sjellin produktet e tyre për t‘i shitur, pemë, shpendë, vezë, zarzavatet, djath e gjizë, enë të punura në Kavajë me formë romake etj.

Tradita e veshjeve popullore

Në një rrugë të posaçme të pazarit gjenden për të shitur kostume Shqiptare të bukur me gajtane të ndryshme për burra dhe gra, të qepura me fill ari të pastër; Xhoke të zeza për gra, me të qepura me harxhe të rënda prej ari dhe argjendi, me breza prej argjendi masiv të rënda që peshjojnë disa okë e që më shumë i mbajnë gratë e Hotit dhe malësive. Edhe mëndafshat e punura prej shqiptarëve kanë bukuri në bojra dhe desen. Më parë tërheq pamja piktoreske që prezantohet prej shumicës së madhe të tipave të bukur të malsorëve, të malësorve shqiptarë, Toskë e Gegë, me kostumet e tyre aq të ndryshme, Midis këtyre përzijet edhe rroba ushtarake e ushtarave që kërkojnë të takojnë bashkëkatundarët e tyre që vijnë në pazar dhe së bashku me këta përzijet edhe veshja evropiane e tregtarëve, qytetarëve dhe vizitorëve të rrallë t‘ardhur nga vende të ndryshme sikurse ishem edhe na. Pashë edhe të tjerë qytete orientale por nuk përngjasin me pazaret shqiptare, ndofta nga shkaku i tipeve të ndryshme popullojnë këta, i japin një pamje krejt të ndryshme.

Tirana dhe historia e saj nga themelimi, te ngjarjet politike në vitet 1913-1923

Për historinë e vjetër të kryeqytetit shqiptar dhe ngjarjet më kryesore politike që ajo kaloi që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912 e deri në vitin 1927, ka shkruar gjatë në dy librat e tij voluminozë, “Shqipëria më 1927”, Teki Selenica, ish-funksionar i lartë gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, i cili ka qenë dhe mbetet dhe një nga staticienët e vetëm që ka bërë studime e botime të sakta në këtë fushë. Lidhur me këtë, mes të tjerash në atë libër ai ka shkruar:

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ndahet në këto lagje: Abdulla bej, Ali bej, Ismail efendi, Lagjja e re, Pazari, Suleyman pasha, Xhami Sherif dhe ka 2.816 shtëpi, 16.513 frymë, prej të cilëve 12.513 janë popull autokton edhe 4.000 të ardhur mbas vendosjes së Tiranës si kryeqytet, ku ditë për ditë shtohet popullsia e po shumohen ndërtesat e shtëpijat. Për historinë e kryeqytetit tonë dimë këto: Tirana deri në vitin 1.600 nuk ka qenë gjë tjetër veçse një lëndinë e pyllit dhe nuk kish as shtëpi dhe as emër; në këtë vit në mes lumit Erzen dhe Ishëm, Sulejmani beu i shtëpisë së Barkaj, ngrehu qytetin e sotëshëm dhe e pagëzoi Tiranë për kujtim të një luftë që kish fituar në Persi kur kish vajtur me ushtrinë turke dhe kështu qyteti i ri me ngjasim nga Tahran-it të “Persis” mori emrin Tiranë. Themeluesi i Tiranës Sylejman beu, si ngrehu qytetin e ri vdiq në Bagdad e zemra e tij për shenjë trimërie, sado që u mbajt atje, por trup i tij ish sjellë në Shqipëri ku është varrosur në xhaminë e vjetër të qytetit. Tirana deri në mbarimin e luftës ballkanike, si qëndër nënprefekture, mbeti në dorën e turqve dhe mbas ikjes së këtyre ra në dorën e ushtrisë serbe dhe mbas pak kohe si vendosi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbeti si kurdoherë tokë shqiptare. Më 1913 kur Esat Toptani u nda nga Vlora dhe erdh në Durrës e me një grusht pasanikët e tij formoi qeverionë e “Shqipërisë së Mesme”, Tirana ish pjesa e kësaj qeverie e cila si kufi me qeverinë e Vlorës kishte Shkumbinin. Më 1914, mbas ardhjes në Durrës të mbretit, Tirana u bashkua me vendet e tjera të Shqiprisë, por mjerisht mbas pak kohe me Musa Qazimrat, Haxhi Qamilrat e saj u bashkua me rebelët dhe u bë selia e rebelizmës e cila më 3 Shtator 1914 shtërngoi mbretin të lërë Durrësin e t‘ikë nga Shqipëria. Më 1 Tetor 1914 kur Esad Toptani arriti në Durrës e mori qeverimin në dorë, Tirana pak kohë qëndroi nën urdhrin e tij, por më vonë nën kryesinë e Musa Qazimit çpalli kryengritjen kundër tij dhe rrethoi Durrësin, deri sa më 20 maj 1915 ra në dorën e Serbëve të cilët siguruan stabilitetin e Qeverisë së s‘Esadit e cila veproi me një drejtësi shëmbëllore kundra rebelëve dhe këta i faroi nëpër burge dhe litar. Më 23 Kallnuer 1916 si u çduk qeverisi i Esadit dhe ky iku nga Shqipëria, Tirana ra në dorë të Austriakëve dhe qëndroj deri sa më 25 Tetor 1918 u mbloth Kongresi i Durrësit dhe zgjodhi delegatin e saj dhe kështu si gjith pjesët e Shqipërisë dhe Tirana hyri në sundimin e kombit. Më 21 Kallnuer 1920 kur u çel Kongresi i Lushnjes, Tiranën e vendosi si seli provizore të qeverisë kombëtare dhe kështu prej asaj date Tirana është kryeqyteti Shqiptar. Tirana mbas kësaj date është bërë dëshmitar i këtyre ngjarjeve: Fuqitë italiane në mbledhjen e Lushnjes mbasi panë me syt e tyre guximin, patriotizmin, trimërinë dhe vullnetin e një kombi të bashkuar, dal nga dal u larguan nga Shqipëria dhe kështu Tirana për herën e parë priti Këshillin e Naltë të formuem prej Z.z. Aqif Elbasnai, Dr. M. Turtulli, Emzot Bumçi e Abdi Toptani, dhe kabinetin shqiptar të formuar prej Z. Z. Sulejman Delvina, A. Zogu, M. Konica, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Eshref Frashëri, e Idhomone Kosturi. Më 13 Mars 1920 Tirana mori në gjirin e vet administratën e Shkodrës dhe më 26 maj 1920 dhe atë të Korçës. Më 13 Qershor 1920 Tirana dëgjoi vrasjen e Esadit dhe shpëtoi nga lëvizja kryengritëse e Esadistëve dhe nga rebelimi i ngushtë i këtyre fuqive. Më 2 Gusht 1920 për herë të parë Tirana mbas Baronit Aliotit, priti përfaqësuesin e Italisë, Conte Mazonin me të cilin qeveria nënshkroi paktin e parë të dorzimit të Vlorës mbas një lufte plot heroizëm e nder. Më 17 Gusht 1920 Tirana mori sihariqin e lirimit të Vlorës, të cilën e bashkoi në fatin e motrave të saj.

Tirana në vitin 1921

Më 21 Prill 1921 Tirana pa çeljen e parlamentit të parë të Shqipërisë. Më 9 nëndor 1921 Qeveria Shqiptare e Tiranës mori lajmin e gëzuar se pushtetet e mëdhenj njohin Shqipërinë de jure et facto si një shtet indipendent. Më 7 Dhjetor 1921 Mustafa Kruja me shokë bënë cup d’etat-në dhe detyruan kryeministrin Z. Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen i cili e dha dhe kabinetin e formoi Hasan Prishtina dhe ky më 11 Dhjetor 1921 u detyrua të japë emisionin dhe në këtë rsat u formue kabineti provizor prej Z. Idhomene Kosturi e Drejtorëve të Ministrive. Më 22 Dhjetor 1921 Tirana pa mbledhjen ekstraordinare të Parlamentit i cili rrëzoi deputet e Drinit, dhe dy anëtarët e Këshillit nalt. Z. Aqif Elbasanin e Imzot Bumçin dhe në vend të këtyre zgjodhi Z. Ymer Pasha Vrionin e Ndoc Pistullin. Më 24 Dhjetor 1921 dhanë dorëheqjen dhe dy antarët e tjerë të Këshillit të nalt Z. M. Turtulli dhe Abdi Toptani dhe në vend të tyre u zgjodhën Refik Toptani e Sotir Peci, gjith në këtë datë u formua dhe kabineti nën kryesinë e Z. Xhaferr Ypi.

Tirana në vitin 1922

Më 8 Mars 1922 si u vra në Valias trimi i paharruar Meleq Frashëri, Tirana pati fatin e zi të shohë rebelët e Mustafa Krujës, Zija Dibrës e të Elez Jusufit të cilët hynë brenda në qytet dhe luftuan nëpër rrugët e tij deri sa u çduknë me heroizmin e rrallë të Ministrit të P. Mbrendëshme, A. Zogut, i cili u mbyll në pallatin e Parlamentit dhe atje vendosi të vdiste për të mos shkelur dinjitetin shtetnor, dhe mbas disa ditësh, si këta ashtu dhe rebelët e qarkut të Durrësit, me shpejtësi rrufeje, i dërmoj dhe në kryeqytet u ngreh një gjykatore e shtetrrethimit e cila gjykoj dhe dënoj shkaktarët e kryengritjes.

Tirana në vitin 1923

Tirana në vitin 1923 shkoi në një qetësi e punë dhe e vetmja ngjarje me rëndësi është kjo: Më 3 Mars 1923 Kryeministri Z. Xhaferr Ypi u zgjodh antar i Këshillit të naltë dhe kështu bara e formimit të kabinetit iu ngarkua Z. A. Zogut, i cili duke mbajtur dhe dikasterin e Ministrisë së P. Mbrendëshme, formoj kabinetin e ri në kohën e të cilit u bënë zgjedhjet për asamblenë konstituente dhe u provokua, në fitimin e opozitës, përçarja e partis qeveritare./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb