Kryeministri Edi Rama publikon në “Twitter” qëndrimin zyrtar të autoriteteve italiane lidhur me reportazhin e publikuar pak ditë më parë në televizionin “Rai3”, ku thuhej se është rritur kultivimi i kanabisit në Shqipëri.

Duke e cilësuar “skandaloz” raportimin e “Rai3”, Rama falënderon autoritetet fqinje, që sipas tij, ndihmuan përditë shqiptarët në luftën kundër kanabisit, por edhe për të fituar ndaj kësaj gënjeshtre.

“Ja edhe e vërteta zyrtare për raportimin skandaloz të RAI3! Faleminderit autoriteteve të policisë italiane që na ndihmojnē përditë në afirmimin e fitores së përbashkët kundër kultivimit të kanabisit dhe në këtë rast na ndihmuan të fitojmë ndaj një gënjeshtre të madhe mediatike?”, shkruan Rama.

Në qëndrimin zyrtar të autoriteteve italiane, të publikuar nga kryeministri Rama, thuhet se autoritetet kanë specifikuar se lajmet e bëra publike nga “Rai3” nuk korrespondojnë me të dhënat reale.

“Është konfirmuar bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Gjithashtu është sqaruar një kronikë e dhënë nga Tg3 në datën 27 janar 2020, ku flitej për një raport të rezervuar të policisë për rritjen e kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar. Autoritetet kanë specifikuar që lajmet e bëra publike nga stacioni televiziv TG 3 nuk korrespondojnë me të dhënat reale dhe nuk mund të hedhin hije për efikasitetin real të kontrastit në lidhje me kultivimin e kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit”, thuhet në qëndrimin e autoriteteve italiane.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb