Kur je në Velipojë, mirë është t’i shpëtosh kurthit të qendrës, atij metropoli ranor, si në shumë plazhe e qytete bregdetare, ku sundon mizëria e zhurmave, britmave, kacafytjeve të reperëve modernë që buisin nga të katra anët tok me zhaurimën e lojërave për fëmijë, e gjitha nën aromat e mpleksura keq të qofteve me piper ngjitur me sushin e lokaleve të luksit.

Ja vlen të ikësh në skaje, në të dy ekstremet. Si kah Viluni, e për më tepër, andej nga rrjedha e Bunës, qoshja Veriperendimore e vendit, në kufi me Malin e Zi.

Shumëkush niset në mëngjes herët në të zbardhur drejt këtij atraksioni. Pjesa më e madhe kur e shohin se po ju rëndojnë pak këmbët, kthehen.

Po nëse ke durim vetëm 60 minutësh, ja del fare lehtë të prekësh nga afër atë sinor të lezetshëm që shtypet vazhdimisht mes Lumit e Detit.

Buna e ëmbël vërshon e sertë në Adriatik, me një turravrap në pafundësi, sikur çlirohet nga digat që e mbajnë në shtrat.

Më anë tjetër, ngjan se si për rezistencë, Adriatiku tenton t’ja kthejë mbrapsht këto kryengritje, me shpërfilljen e atij detit që ka parë shumë lumenj të çartur t’i vijnë vërdallë, që prej Vjosës, Semanit në deltën e Fierit, më tej Shkumbinin e Matin, Drinin po ashtu në Lezhë.

Po sak Buna paraqitet si më i vendosuri dhe më seriozi në këtë përballje prej motesh.

E vështirë ta dallosh me sy, aty ku me gjasë qëndron një si mur shkumëzues nga kërleshja kushedi sa shekullore mes të ëmblit ujë që buron nga Liqeni i Shkodrës, e të njelmtit vendali. Edhe pse është 7 e mëngjesit, aty gjen Myzin, 60 vjeç, me këmbët e ngulura në rërë, duart hark në një bark të bëshëm që e shton diametrin në secilën frymëmarrje.

Myzi qendron si vendroje aty, në Derdhje të Bunës. Vjen çdo ditë, sa herë është me pushime në Velipojë. Mundohet me të tregu me dorë, se ku mund të jetë ajo vija ku bëhen bashkë fatalisht të dy masat e mëdha ujore.
Ai ka vetëm një merak. Ishalla s’po e prishin këtë bukuri, thotë. Kur nisesh për atje, mendon se do jetë ndonjë orgji e natyrës. Dhe në të vërtetë, tek i afrohesh Derdhjes, dallon se vërshimet, era dhe dallgët janë çliruar kësaj ane, dhe kanë pasur dorë të lirë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Njeriu s’ka kaluar shpesh për t’ua prishur planet. Vend i mirë dhe me mbrothësi për peshkatarët amatorë. Janë aty si të lodhur, pa gjumë, dhe jo shumë të sjellshëm, 3 nga Tirana. Vetëm më i riu ka pak qejf për muhabet. Kanë ardhur një ditë më parë dhe e kanë kaluar gjithë natën në një kolibe druri. Një rrjet filispanjash lakohen në det mbajtur nga kallama gjysëm të zhytur në breg.

Janë sidomos në kërkim të Levrekut. Ky lloj peshku, paska qef të lodrojë aty ku përzihen ujërat e ëmbla me të kripurat dhe mbetet një gjah i mirë. Kam kapur vjet më shumë, thotë Eltoni, 32 vjeç. Deri në 4-5 kile copa. Përballë tyre, ishulli i vogël nxjerr krye sa herë dallgët tërhiqen. Këtë sezon nuk i kanë lënë peshkatarët të shkojnë. Eshtë kjo arsyeja pse dhjetra pulëbardha hapin krahët e çmorriten pa stres.

Kur kthehesh, diellin e ke në sy. Krijon koridore vezulluese në sipërfaqen e detit, sa të shkon mendja se ato sapo kanë lindur andej nga Rana e Hedhun. Një tjetër destinacion, po kaq joshës.

Vetëm se për këto bukuri të Veriut nuk flitet dhe aq shumë. S’janë si me thënë In, apo trend. Kur kalimtarë të tjerë, kryesisht pushues kosovarë të kësaj ore, të pyesin a di gjë sa larg është Derdhja, ti prapë ruan pak optimizëm se këto vende, nuk ngelen pa miq e pa vizitorë./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: