Nga: KLODJANA HAXHIAJ*
DURRES- Këtë vit në plazhin e Durrësit mungojnë pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia. Plazhit i janë rikthyer durrsakët, tiranasit dhe të huajt, pjesa më e madhe e të cilëve janë ditorë. Kjo situatë me numër të pakët pushuesish ka bërë që cmimet në restorante dhe hotele të jenë të ulëta. Pushuesit aktualë ndjehen shumë të kënaqur, sepse numri i ulët i pushuesve ka ndikuar në rritje të shërbimeve dhe të pastërtisë.

Madje në plazhin e Durrësit, për herë të parë gjen edhe turistë hungarezë, gjermanë etj.

“Jemi nga Hungaria, kam ardhur me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Së bashku me ne është edhe një familje tjetër nga Gjermania dhe do të qëndrojmë 7 ditë në plazhin e Durrësit. Është shumë bukur. Nxehtë dhe plazhi është fantastik. Qëndrojmë në hotel, dhe cmimet janë shumë të lira. Do të rikthehemi sërish, vitin tjetër”.

Numrin e ulët të pushuesve dhe mungesën e atyre tradicionalë, të Kosovës dhe Maqedonisë, në bregdetin e Durrësit, pronarët e bizneseve, fillimisht e shikonin si rezultat i zgjedhjeve vendore, dhe më pas si rezultat i muajit të Ramazanit. Por edhe pse agjërimi përfundoi, numri i pushuesve që gjenden në bregdetin e Durrësit nga Agipi në Shkëmbin e Kavajës, është dukshëm më i ulët se pritshmëritë. Madje në orarin e drekës restorantet buzë rrugës janë bosh, nuk ka njerëz të ulur për të drekuar.

Janë disa shkaqet e numrit të ulët të pushuesve, por dhe mungesa e promocionit apo dhe imazhi i keq i krijuar në vitet e shkuara.

Pronarët e restoranteve buzë rrugës janë nga Kosova dhe Maqedonia. Madje edhe kuzhina e restoranteve të tyre është vënë në shërbim të këtyre pushuesve. Cmimet janë të lira, sepse gatuhet për familjarë.

Aktulisht hotelet punojnë me kapacitet nga 30 deri në 40% të tyre, ndërsa edhe banorët e plazhit, i kanë dhomat të lira. Të gjithë bizneset kanë investuar nga viti në vit për të krijuar kushte të mira për pushuesit, por investimet nuk u përkthehen në të ardhura. Madje sipas tyre qëllimisht Durrësit i bëhet propogandë e keqe, që pushuesit të shkojnë në Shëngjin e Velipojë, ku shërbimet nuk janë më të mira se në Durrës, ndërsa edhe cmimet nuk janë po aq të lira sa në këtë plazh.

Në hotelet me emër, çmimi i një dhomë nis nga 30 në 50 Euro, por në hotelet e tjerë një dhomë me kondicioner është 20 Euro nata, ndërsa pa kondicioner 7 euro nata. Nga 10 deri në 15 Euro nata jepen edhe banesat private me qera për pushuesit, çmime këto shumë të ulëta dhe konkuruese, me pjesën tjetër të bregdetit Adriatik, në Shëngjin e Velipojë, pasi në Jug në bregdetin e Jonit, çmimet janë disa herë më të larta se në Durrës. Pronarët e bizneseve deri tani nuk kanë nisur ende të nxjerrin fitime, ndërsa kalendari shënon 10 ditëshin e fundit të korrikut, ndërsa përballen me krizën e thellë ekonomike. Janë përballë, taksave dhe detyrimeve të shtetit, ashtu sikundër, para pagesave të punëtorëve, ndërsa sytë i mbajnë nga rruga në pritje të pushuesve. “Shpresa vdes e fundit thonë ata”, me shpresë se pushuesit do të bujtin sërish.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: