TURQI – “Për fat të keq, në Turqi prezenca e kurdëve nuk pranohet. Por tani ndodhemi përballë një tjetër masakre, sulmeve të ISIS”. Kështu deklaroi Gultan Kisanak, kryetarja e bashkisë së Diyarbakir në Turqi, që njihet si një nga qendrat ku mbrohet me forcë identiteti kurd.

Diyarbakir ndodhet në të njëjtin rajon me Gaziantep, qyteti që u godit nga sulmi kamikaz i kryer nga një adoleshent, gjatë një ceremonie martesore, ku humbën jetën 51 persona.

Në një intervistë për italianen ‘La Repubblica’, kryebashkiakja 55-vjeçare shprehet se “sot kurdët janë të burgosur dy herë, një herë nga represioni i Ankarasë dhe tashmë edhe nga sulmet e ISIS”.

Kryebashkiake Kisanak, dialogu mes turqve dhe kurdëve duket sikur është thyer kohët e fundit, si pasojë e luftës mes ushtrisë dhe PKK-së. Për më tepër Turqia tashmë është në shënjestër të sulmeve të ISIS. A ekziston rreziku i përshkallëzimit të konfliktit?

Dialogu mes turqve dhe kurdëve nuk vijoi edhe si pasojë e luftës në Siri. Në zonën siriane të Rojavas, kurdët kërkojnë një zgjidhje demokratike dhe luftojnë kundër terrorizmit të Shtetit Islamik. Dhe sot ISIS ka vënë në shënjestër qytetet kurde në Turqi. Por qeveria e Ankarasë i trembet pavarësisë kurde.

Sa po influencon Shteti Islamik në Turqi?
Ne kurdët po luftojnë në favor të identitetit kurd. Luftojmë për dialogun dhe për identitetin laik e liberal. Por e gjithë kjo kundërshtohet nga formacioni i themeluar nga presidenti Erdogan.

Përse po sulmohen gjithnjë e më shumë qytetet kurde?
Sepse qeveria turke i ka dhënë fund tratativave për paqe me kurdët, duke mbyllur shtigjet për gjetjen e një zgjidhjeje, e duke rifilluar luftën. Në Diyarbakir janë dhjetëra refugjatë sirianë të cilët po përpiqemi ti mbrojmë. Por edhe qytete të tjera të mbushura me refugjatë sirianë po sulmohen nga terroristët, si Cizre, Silopi, Sirnak, Sinjan.

Qyteti Sirnak praktikisht është rrafshuar, në Diyarbakir lagje të tëra janë në shtetrrethim, Gaziantep është goditur nga terroristët. Çfarë tregon sot kjo situatë në Turqi?

Tregon që qytetet janë në luftë. Për fat të keq sot bota nuk ka dijeni për shkatërrimin e qyteteve kurde. Por ne bëjmë pjesën tonë, luftojmë terrorizmin. Jemi kundër çdo shteti jodemokratik. Ndoshta ka interesa mes një shteti dhe një tjetri, por ne duam vetëm të jetojmë në liri. E ardhmja na pret të lirë.

Në vitin 2014, vetë Erdogan kërkoi dialogun me kurdët, edhe për të siguruar votat e tyre, dhe nisi bisedimet me liderin e burgosur të Pkk, Abdullah Ocalan. Përse dështuan negociatat?
Po, ka patur tratativa. Ne menduam se disa gjëra do të ndryshonin. Por nuk ndodhi kështu. Erdogan deklaroi se negociatat me kurdët rezultuan nul dhe se në Turqi janë vetëm turqit dhe kaq.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: