NGA FATMIRA NIKOLLI

Dhoma relativisht të mëdha për një çift kampistësh, por aty kanë banuar 25-30 të dënuar në rreth 40m katror, shtretërit në formatin e krevatit marinar me tre kate. Detaje si këto janë të pabesueshme për syrin e një vizitori. Në njërën anë ndërtesat e të dënuarve me tri kate, në anën tjetër, në hyrje, gjenden ndërtesa me 5 kate që përafrojnë me pallatet e dikurshme. Aty qëndronin punonjësit “e lirë”.

Pedagogët Julian Bejko e Dritan Karadaku e përshkruajnë kështu burgun famëkeq të intelektualëve në Spaç të Mirditës. Ata kanë realizuar një dokumentar i cili u shfaq në Muzeun Historik kombëtar. “Synimi ynë ishte vizita në Spaç bashkë me studentët, njohja e tij dhe përmes tij, njohja e shoqërisë shqiptare. Shpesh flasim nga pozita të tjera, studio televizive, emisione, libra, por është tjetër gjë të shkosh në Spaç dhe t’i shpjegosh studentëve se edukimi duhet të përfshijë drama të tilla. Dokumentari është në njëfarë mënyre rezultat i një pune të gjatë studimore që shprehet në këtë rast me anën e imazheve dhe metaforave, muzikës dhe narracioneve për t’ia afruar dhe ofruar shoqërisë atë që është më pranë ngase mendohet brenda nesh në shumë aspekte të jetës”, thanë për “GSH” Bejko e Karadaku.

Ata shprehen se nga Spaçi kanë mbetur ndërtesat e amortizuara nga neglizhenca dhe harresa e tranzicionit, kohë kur njerëzit kanë pasur halle dhe shqetësime të tjera. Nuk jemi në dijeni të asaj që ka qenë dikur imazhi i tij, ndoshta arkivat shtetërorë duhet të kenë pamje të kohës, por sot Spaçi pasqyron rrënimin e shumë ndërtesave të tjera të regjimit diktatorial që jo domosdoshmërish janë burgje.

Çfarë ju bëri ju përshtypje nga vizita në burgun e Spaçit?
Afërsia e Spaçit me Tiranën është nga ato gjëra që të detyron të pyesësh veten ‘Pse s’kam ardhur më parë këtu’? Më pas vendi ku ndodhet është i pabesueshëm, kodra, rrëpira dhe male, grykë dhe rrugë me shumë kthesa dhe më në fund shfaqen ndërtesa shumë të pakuptimta, 4-5 katëshe në mes të asgjësë. Është diçka shumë surreale ajo atmosferë arkitekturore mes atyre anëve.

Pritshmëritë janë ato të një burgu të braktisur, por asgjë e tillë nga klishetë që njerëzit mendojnë në përgjithësi, nuk haset në Spaç. Ndërtesat e të dënuarve ngjajnë me kampet e pushimit të masave proletare, i njëjti stil, konkret, i thjeshtë, i nisur nga nevoja për të ndërtuar sa më shpejt një kamp pune të detyruar në minierë dhe burgosjeje në “kohën e lirë”. Dhoma relativisht të mëdha për një çift kampistësh, por aty kanë banuar 25-30 të dënuar në rreth 40m katror, shtretërit në formatin e krevatit marinar me tre kate. Detaje si këto janë të pabesueshme për syrin e një vizitori. Në njërën anë ndërtesat e të dënuarve me tri kate, në anën tjetër, në hyrje, gjenden ndërtesa me 5 kate që përafrojnë me pallatet e dikurshme. Aty qëndronin punonjësit “e lirë”.

Në nisjen e punës për realizimin e tij, cili ishte synimi juaj?
Synimi ynë ishte vizita në Spaç bashkë me studentët, njohja e tij dhe përmes tij, njohja e shoqërisë shqiptare. Shpesh flasim nga pozita të tjera, studio televizive, emisione, libra, por është tjetër gjë të shkosh në Spaç dhe t’i shpjegosh studentëve se edukimi duhet të përfshijë drama të tilla. Dokumentari është në njëfarë mënyre rezultat i një pune të gjatë studimore që shprehet në këtë rast me anën e imazheve dhe metaforave, muzikës dhe narracioneve për t’ia afruar dhe ofruar shoqërisë atë që është më pranë ngase mendohet brenda nesh në shumë aspekte të jetës.

Çfarë ka mbetur sot nga burgu famëkeq?
Nga Spaçi kanë mbetur ndërtesat e amortizuara nga neglizhenca dhe harresa e tranzicionit, kohë kur njerëzit kanë pasur halle dhe shqetësime të tjera. Nuk jemi në dijeni të asaj që ka qenë dikur imazhi i tij, ndoshta arkivat shtetërorë duhet të kenë pamje të kohës, por sot Spaçi pasqyron rrënimin e shumë ndërtesave të tjera të regjimit diktatorial që jo domosdoshmërish janë burgje, p.sh. uzina apo ndërmarrje të tjera kudo nëpër Shqipëri, aq sa i kanë mbijetuar bastisjes dhe klimës.

Sa e njeh brezi i ri historinë e tij?
Brezi i ri, studentë dhe jo vetëm kanë lindur në vitet e tranzicionit, në fillimin e viteve 1990. Ky s’është argument për të njohur përciptas historinë, por për të theksuar kohën e lindjes dhe rritjes së tyre, në një shoqëri të torturuar nga dilema dhe vështirësi të skajshme. Përveç tyre që janë disi më të justifikuar, historinë tonë nuk e njohin ende të rriturit, historia jonë nuk rresht së prodhuari kontradikta dhe thashethemnaja që dëmtojnë punën e një studiuesi dhe sidomos kujtesën kolektive të një shoqërie. Ne nuk njohim historinë dhe disa nga të vërtetat e saj, raporti ynë me të vërtetën është mjaft i turbullt.

Për tu kthyer në muze, çfarë i duhet këtij burgu?
Specialistët e fushës mund të thonë më mirë se çfarë i duhet Spaçit për t’u bërë muze. Ne nga ana jonë, e punës dhe profesionit mund të flasim rreth Spaçit si një qenie në agoni që duket se refuzon balsamosjen e saj për t’u certifikuar si objekt muzeal. Në një situatë imagjinare ku supozohet se tashmë është shndërruar në muze, pyetja është: çfarë do i thonë ciceronët publikut vizitor të huaj dhe shqiptar? Statistika, shifra, numra, histori datash, dhimbjesh, vdekjesh? Po tjetër? Ish-kampi i Spaçit meriton një tjetër raport dhe vëmendje, një trajtim më të gjerë sesa perimetri i tij, për këtë arsye e shumë të tjera, titullin e filmit-dokumentar e kemi quajtur “Republika e Spaçit”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: