BEOGRAD- Për herë të parë po ndodh një takim mes dy partive politike të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë. Partia Republikane e Kosovës, ka pranuar ftesën e Partisë Republikane të Serbisë, që të jetë e ftuar e një takimi të përbashkët në mes të këtyre dy subjekteve politike, që po mbahet në Beograd.

Vizita e drejtuesve të Partisë Republikane të Kosovës në Beograd – Faton Kurti, kryetar dhe Selver Xhelili, nënkryetar – për të cilën janë njoftuar edhe institucionet relevante ndërkombëtare, po ndodhë me kusht që Republikanët e Serbisë, së pari ta njohin publikisht shtetin e Kosovës, pastaj, me ardhjen e republikanëve serbë në pushtet, Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë si dy shtete fqinje të pavarura, raporton rajonipress.

Partia Republikane e Serbisë, udhëhiqet nga Nikolla Sandullovic, mbi të cilin ishin bërë dy atentate në Serbi për shkak të kundërshtimit të politikave radikale serbe. Kjo parti, faktikisht e pranon realitetin e ri në Kosovë – Pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga shteti serb dhe qeveria e Serbisë që ta njohë shtetin e Kosovës, dhe të njëjtën kohë, t’i kërkojë falje publike popullit të Kosovës për atë që bëri Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të normalizojë raportet si dy shtete fqinje dhe të pavarura.

Udhëheqësit e Partisë Republikane të Kosovës, Faton Kurti dhe Selver Xhelili, nën masa të sigurisë nga Partia Republikane e Serbisë, arritën në Beograd.

Në fjalën e tij, kryetari Kurti, ka thënë se, Partia Republikane e Kosovës, do të bashkëpunojë me Partinë Republikane të Serbisë, të Shqipërisë, si shtete fqinje, dhe të gjitha partitë si motra të vendeve tjera në rajon e më gjerë, duke i harmonizuar planet e përbashkëta, në interes të shteteve tona të pavarura, sovrane e demokratike dhe qytetarëve tanë.

Ndërkaq, nënkryetari i PRK, Selver Xhelili, në paraqitjen e tij sot në Beograd, kërkoi nga drejtuesit e Partisë Republikane të Serbisë, që të insistojnë për zbulimin sa më të shpejt të të pagjeturve të luftës.

“Duhet që Serbia të jetë fqinj i mirë, ta pranojë fajësinë dhe të ecim bashkë me popujt e përparuar të vendeve tjera demokratike, drejt Evropës”, ka thënë ndër të tjera Xhelili, i cili në vazhdim, ka kërkuar nga shteti serb, avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të barabarta me serbët e Republikës së Kosovës.

“Duhet të thuhet realiteti i ri, këtu në Beograd se, me ardhjen e republikaneve në pushtet, përmes projekteve tona të përbashkëta në interes të qytetarëve tanë, në Ballkan do të ketë stabilitet për gjithë rajonin”, ka theksuar Xhelili.

Ndërkaq, kryetari i republikaneve të Serbisë Nikolla Sandullovic, si mikpritës i këtij takimi, ka përsëritur se Partia Republikane e Serbisë e njeh Kosovën shtet të pavarur e demokratik, si shtet fqinj.

“Me ardhjen tonë në pushtet, do t`i kërkojmë falje popullit shqiptar të Kosovës, për atë që bëri Serbia mbi popullin e pafajshëm shqiptar, duke hapur kështu rrugët e bashkëpunimit si dy shtete fqinje. Ne, republikanët do t’i japim të drejta të barabarta shqiptarëve që jetojnë në Serbi, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë”, ka spikatur ndër të tjera ai, duke shpreh edhe kundërshtimin kundër gjithë këtyre “kriminelëve”, siç është shpreh ai, që sollën Serbinë në këtë izolim, thuhet në njoftimin e delegacionit të PRK-së, transmeton rajonipress.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb