TIRANE– Reshjet e dendura të shiut që kanë pushtuar vendin ditën e sotme kanë shkaktuar probleme me qarkullimin, si dhe janë përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore. Situata problemtike është kthyer në disa zona të vendit. Mesditën e sotme, si pasojë e rritjes së nivelit të prurjeve, lumi Drini i Zi ka dalë nga shtrati në zonën e Bulqizës. Si pasojë rrezikohen disa banesa në Gjoricë.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, është nisur drejt Gjoricës, ndërsa Emergjencat Civile po punojnë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura.

Nisur nga situata, ministri Tahiri është shprehur se “duhet treguar solidaritet i gjithë shoqërisë për situatën e krijuar nga përmbytjet. Solidaritet për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Jemi te gjithë të angazhuar për menaxhimin e situatës. Po monitorojmë hap pas hapi zonat më të rrezikuara”.

Situata paraqitet problematike edhe në jug të vendit. Rruga Gjirokastër-­Kakavijë është bllokuar për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Ndërsa problematike është edhe rruga në hyrje të spitalit të Gjirokastres, e cila është nën ujë.

Po kështu, pjese problematike është edhe segmenti rrugor mbi zonën e varrezave, ku makinat e kanë pasur shumë të vështirë lëvizjen, duke pritur në radhë në kushtet e një moti të keq.

Për shkak se kanalet kulluese janë tejmbushur, janë përmbytur sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore.

Reshjet e ditëve të fundit në vend kanë shkaktuar përmbytje në disa zona, dhe disa familje u evakuuan për shkak se shtëpitë e tyre ishin në ujë. Me rikthimin e reshjeve, rritet edhe më shumë rreziku i përmbytjeve për shkak të rritjes së nivelit të prurjeve të lumenjve.

Gjatë ditës së sotme, moti mbi vendin tonë parashikohet të jetë me reshje të dendura shiu, lokalisht shtrëngata dhe stuhi, ndërsa në zonat malore në verilindje parashikohen reshje dëbore në lartësi.

Dy ditë më parë, lumi Vjosa doli nga shtrati tek Ura e Mifolit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, e po kështu sipërfaqe të mëdha toke në zona të tjera të vendit ndodhen nën ujë.

Sipas sinoptikanëve, pjesa e dytë e ditës do të sjellë dobësim të ndjeshëm të intensitet të shirave në vend duke bërë që herë pas here të ketë pauza. Gjatë natës nuk pritet të ketë reshje në të gjithë vendin.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë orët e mëngjesit, por mesdita nuk do të sjellë ndryshim të tyre.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi jugperëndimor dhe për pasojë në det do të gjenerohet dallgëzim 4 ballë.

PARASHIKIMI
Era do të jetë me drejtim Verilindje – Veriperëndim 1-25m/sek. Mjegull/Mjegullinë për shkak të reshjeve. Deti i forcës 6 me lartësi valë 5.0 metër.

Temperaturat parashikohen të jenë:

Vendet malore 5/10°C

Vendet e ulta 8/16°C

Vendet bregdetare 8/16°C

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: