GRAMSH

Reshjet e dëborës dhe furtuna kanë bërë që në rrethin e Gramshit, të bllokohen tre njësi administrative.

Në 20 fshatra të tre njësive administrative, energjia elektrike mungon .

Sipas drejtorit të mirëmbajtjeve të Rrugëve pranë Bashkisë Gramsh Luan Kokla, për dy njësitë aministrative Kukur dhe Poroçan janë nisur grupet e punës, ku sot mund të bëjmë të mundur hapjen e rrugës pasi trashësia e dëbores dhe akulli janë të mëdha.

Në fshatin Rovje u bë e mundur hapja e rrugës, por qarkullimi bëhet i detyrueshëm me zinxhirë, për shkak të akullit.

I bllokuar është edhe aksi rrugor Gramsh – Korçë në një gjatësi prej më shumë se 4 km. Pranë fshatit Maliqopar, dëbora dhe akulli  janë në trashësi të mëdha. Ky aks rrugor nuk është në varësi të bashkive, por mirëmbahet nga një firmë konçesionare.

Në pamje duket edhe pastrimi i rrugës në fshatin Rovje në Gramsh, ku trashësia e dëborës në disa vende ka arritur deri në dy metër.

Bashkia është detyruar të marrë traktorë me zinxhirë me qira, pasi për shkak të terrenit të vështirë dhe dëborës së madhe, nuk mundi të hapë rrugën me fadromat që disponon.

Edhe në fshatin Grabovë e Sipërme, do të dërgohen traktorë me zinxhirë, pasi është e njëjta situatë edhe këtu. Në tre njësitë administrative, nuk është rikthyer energjia elektrike prej 72 orësh.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb