Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e pandërprera të dëborës në të gjithë rrethin e Skraparit.

E filluara që prej natës së djeshme dëbora ka mbuluar gjithçka në çdo fshat dhe zonë malore, ndërkohë që trashësia e saj ka arritur deri në 20-25 cm. Reshjet e pandërprera të dëborës, që filluan mbrëmjen e djeshme dhe që vijojnë të bien ende, kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.

Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë, 4 fshatra rreth malit të Tomorrit janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që nën pushtetin e dëborës 6 fshatra të tjerë, ku kalohet ne zinxhirë.

Fshatrat: Gjerbës, Dëvri dhe Backë janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që fshatrat: Leshnje, Potom, Tomorr, Qafë Dëvri, Zaloshnje dhe Zhepë janë nën pushtetin e dëborës dhe të kalueshme vetëm me zinxhirë. Burime nga OSHEE-ja Berat raportojnë se nuk ka mungesë të energjisë elektrike në asnjë fshat të qarkut të Beratit. Në disa akse raportohet prezencë ngricash në rrugë, ku më problematik është aski Bogovë-Skrapar, ku duhet të tregohet kujdes në qarkullim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: