TIRANE – Duke marrë shkas nga intensifikimi i reshjeve në ditët e fundit, në Kooporatën Elektroenergjetike Shqiptare është zhvilluar sot mbledhja e Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave në Kaskadën e Drinit.
Mësohet se në këtë takim u raportua për situatën aktuale hidrike dhe u diskutua për regjimin optimal të shfrytëzimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin për tre-katër javët e ardhshme, në kushtet e shtimit të prurjeve.
Sekretariati konstatoi se situata aktuale paraqitet në kontroll dhe nuk ka probleme. Në orën 17:00, niveli në HEC Fierzë është 290.24 m, prurjet 800 m3/s; në HEC Koman niveli është 171.23 m dhe prurjet 230 m3/s; në HEC Vau Dejës niveli ka arritur në 74.38 m dhe prurjet 70 m3/s.
KESH njofton se prurjet dhe nivelet në të tre liqenet po monitorohen dhe mbahen nën kontroll të plotë dhe në përputhje me Rregulloren e Shkarkimit të Plotave. Sekretariati u dakordësua për ruajtjen e kuotës në HEC-in e Fierzës në nivelin 290-291 m duke tentuar të arrihet nëpërmjet ngarkimit të plotë të agregateve disponibël; ruajtjen e kuotës në HEC-in e Komanit në nivelin rreth 171 m; ruajtjen e kuotës në HEC-in e Vau i Dejës në nivelin 73.5-74 m.
Sekretariati kërkoi arritjen e prodhimit maksimal në të gjithë kaskadën nëpërmjet shfrytëzimit optimal të prurjeve, duke ngarkuar maksimalisht fuqinë disponibël gjeneruese për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë dhe tepricat për shitje të energjisë elektrike në tregun e parregulluar. Në funksion të menaxhimit të situatës dhe shfrytëzimit maksimalisht të çdo prurjeje, Kooporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke finalizuar një procedurë shitjeje në tregun e parregulluar për tepricat e energjisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb