TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se akset kombëtare dhe rurale janë të hapura edhe pas reshjeve të shiut dhe të dëborës në vend.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, MPB informon se reshjet më intensive kanë qenë në qarkun e Vlorës, Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Shkodrës dhe në disa zona malore ka patur reshje dëbore si, në qarkun e Kukësit, Elbasanit dhe Korçës, por me intensitet të ulët.

“Në qarkun e Kukësit në lartësitë mbi 700 m dëbora arrin deri në 10 cm, kurse në Njësinë Administrative Stëblevë, bashkia Librazhd, dëbora arrin në trashësinë deri në 5 cm, por pa krijuar probleme. Akset kombëtare dhe rurale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Në qarkun Vlorë, thuhet në njoftimin e MPB se “gjatë 24 orëve të kaluara moti ka qenë me reshje shiu me intensitet të ulët, të cilat pas mesnatës u bënë intensive duke krijuar prezencë uji në rrugët e qytetit. Në zonën e Shkollës së Marinës, për shkak të punimeve në segmentet rrugore të brendshme, pati probleme me prezencë të shtuar të ujit në oborret e dy banesave. Ne qarkun e Durrësit reshjet e rëna gjatë mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar rritjen e prezencës së ujërave në disa zona të qytetit, në Shkozet dhe në lagjen e Kënetës, por pa shkaktuar dëme”.

“Ndërsa në qytetin e Tiranës pati prezencë të ujërave sipërfaqësore në rrugët “Don Bosko”, “Medar Shtylla”, pranë shkollës Profesionale Teknologjike, në disa zona në Kombinat, por ujërat kanë qenë të përkohshme dhe me ndërprerjen e reshjeve situata u normalizua”, thekson njoftimi për media i MPB.

KORÇË, PROBLEME NË DISA AKSE
Ndërkaq në Korçë nga reshjet e shiut është bllokuar aksi Lozhan-Moglicë. Po kështu është bllokuar rruga në vendin e quajtur “3 Urat”. Probleme janë paraqitur edhe në aksin Korçë-Voskopojë. Firmat e mirëmbajtjes ndodhen në terren për pastrimin nga masivet e dherave.

OSHEE: 1500 PUNONJËS NË TERREN
OSHEE po ndjek me vëmendje situatën në terren duke angazhuar rreth 1500 punonjës që po punojnë për lokalizimin e difekteve dhe marrjen e masave për likuidimin e avarive në rrjetin shpërndarës të tensionit të lartë, të mesëm dhe të ulët.

Për shkak të motit të keq që ka përfshirë të gjithë vendin, kompania ka ngritur shtabin e gatishmërisë, duke monitoruar situatën në 24 orë.

Gjatë natës, grupet e brigadave të OSHEE punuan për të riparuar defektet, duke sjellë uljen fidrave pa energji, dhe rritjen e garancisë të furnizimit me energji elektrike.

Si pasojë e defekteve të shkaktuara nga moti i keq, me stuhi ere dhe reshje shiu, në disa zona të vendit janë shfaqur probleme me furnizimin me energji elektrike.

Fiderat që furnizojnë hidrovorët, spitalet, objekte të rëndësishme administrative, janë fidera të një rëndësie të veçante dhe nga ana jonë janë marrë masa me vendosjen e grupeve të gadishmërisë dhe personelit përforcues pranë tyre apo furnizimit alternativ me dy drejtime.

Si pasojë e motit të keq, Linja 30-62 Kuç-Himarë është jashtë pune me tokë, duke lënë  pa energji N/St Himarë. Gjithashtu, problem kanë linja 30-44 Babicë-Smokthinë, N/St Smokthinë dhe N/St Kuç.

Konkretisht, zonat me probleme të furnizimit me energji elektrike, janë si më poshtë:

Rajoni Tiranë: Selitë, Valias (pjesërisht), Shupal (pjesërisht), Ibë (pjesërisht), Babru, zona pranë Shkollës “Emin Duraku”
Rajoni Durrës: Radiostacioni, Metallaj/Karpen, Borizan
Rajoni Shkoder: Rrethina Shkodër (pjesërisht), Bërdicë/Shkodër dhe pjeserisht zona e Arrës Miliska/Pukë
Rajoni Burrel: Sllovë/Peshkopi.
Rajoni Berat: Zona Terpan (pjesërisht), Krore/Çorovodë, Tomoricë (pjesërisht) dhe Potom (pjesërisht).
Rajoni Elbasan: Cerunjë/Gramsh, Tregan dhe Hotolisht
Rajoni Korçë: Voskop/Korçë (pjesërisht)
Rajoni Gjirokastër: Finiq/Sarandë
Rajoni Fier: Levan, pjesërisht Lagja “1 Maji” në Fier, Kallm/Fier
Rajoni Vlorë: Zona e Ujit të Ftohtë, Lepenicë, Fushë – Brataj, Fitore, Rradhimë, Jonufër dhe Himarë

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: