Shtabi i Emergjencave Civile në Lezhë raporton një gjendje në përmirësim e sipër pas reshjeve të 24 orëve të fundit. Megjithatë problematike mbetet argjinatura e Tales, disa përrenj në Laç si dhe rezervuari i ujit në Njësinë Administrative Ungrej që është thuajse në pikën kritike. Gjatë gjithë natës forcat e ushtrisë janë përqendruar në Tale, atje ku si pasojë e prurjeve të lumit Mat, rrezikohej një pjesë e mirë e popullsisë. Për të ndjekur nga afër situatën e rënduar në Tale të Lezhës ka shkuar në terren edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla e cila ka takuar banorët për t’i garantuar se masat e marra nga qeveria do evitojnë në maksimum pasojat e rënda të përmbytjeve. “Po vjen ushtria, do jenë këtu për të garantuar gjithë situatën”, – ajo.

Gjatë inspektimeve, ministrja e arsimit, Lindita Nikolla është shoqëruar edhe nga nënkryetari i këshillit Bashkiak të Lezhës, Zef Doçi i cili gjithashtu garantoi banorët se nga institucionet lokale po bëhet maksimimumi për t’iu ardhur në ndihmë. “Po e ndjekim situatën e krijuar në të gjithë Lezhën, aq më tepër në Tale të Lezhës ku situata paraqitet më e rënduar. Jemi në kontakt me të gjitha institucionet për të qenë në gatishmëri dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të Lezhës ku janë zonat e përmbytura”, – është shprehur nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Zef Doçi.
Megjithatë situata e shkarkimeve të HEC-eve Ulës dhe Shkopet gjatë së mërkurës janë në kuota të larta, ku autoritet flasin për 2300 m3 ujë në sekondë, gjë e cila vijon të sjellë rritjen e prurjeve në Lumin Mat. Rritje të nivelit të ujit në kuota të larta ka po ashtu edhe në Lumin Drin, i cili përshkon mes përmes qytetin e Lezhës.

Problem më vetë mbetet edhe mungesa e energjisë elektrike. Mijëra banorë të ish- Komunës Shëngjin, Kallmet, Ungrej apo dhe Zejmen vijon të jenë në errësirë prej më shumë se 24 orë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb