* Shënohet viktima e parë nga përmbytjet në Vlorë, u rrëmbye nga rrjedha e një përroi
* Fier, 550 banesa e 150 lokale të përmbytura, evakuohen 60 familje

* Bizneset e banesa nën ujë dhe plot baltë
* Shkak për situatën në Vlorë janë bërë mosfunksionimi i dy pompave të hidrovoreve
* Në Fier del nga shtrati Gjanica, zona të tëra dhe rrethinat e qytetit nën ujë
* Ministri Panariti inspekton hidrovorët dhe kanalet kulluese në Lushnje

Moti i keq me shi të dendur dhe stuhi të forta ere ka shkaktuar mbrëmjen e kaluar përmbytje, sidomos në disa zona në jug të vendit. Situata problematike paraqitet në qytetin e Vlorës dhe atë të Fierit, ku disa nga lagjet dhe rrugët kryesore janë përmbytur gjatë orëve të natës. Nga reshjet e shumta të shiut ka patur rrëshqitje të dherave dhe gurëve në aksin rrugor Radhimë-Orikum, duke sjellë bllokimin e qarkullimit.
Situatë problematike paraqitet edhe në qytetin e Fierit, ku lumi Gjanica ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa, lokale, dyqane të ndërtuara afër tij. Orët kritike vijuan dhe gjatë ditës pasi reshjet rinisën duke zgjeruar hartën e përmbytjeve në mbare vendin. Për pasoje, është ndërprerë energjia elektrike në disa qytete dhe shumë fshatra përreth tyre.

VLORE
Moti i keq ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të shtune edhe Vlorën. Reshjet e dendura që zgjatën për disa minuta shkaktuan probleme në rrugë ku lartësia e ujit arriti në disa centimetra.

Situata më e vështirë u krijua në zonën e Skelës dhe në zonat periferike, ku uji ka hyrë në disa biznese.

Për minuta me radhë qarkullimi ishte mjaft i vështirë, ndërsa situata paraqitet problematike në të gjithë qytetin pasi niveli i ujit është rritur ndjeshëm.

Ndërkohë si pasojë e reshjeve të dendura është përmbytur kati i parë i biblotekës ‘Shefqet Musaraj’, si dhe makina e parkingje nëntokësore. Po ashtu bëhet me dije se dhe Pediatria është përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut.

Gazetari Enrik Mehmeti, i cili e ka gdhirë të shtunën sëbashku me banorët e dëmtuar bën të ditur se më problematike është zona e Skelës, por dhe dhjetra e dhjetra akse rrugore janë kthyer të pakalueshëm për shkak të prezencës së ujit.

Shkak për situatën e sotme në Vlorë janë bërë mosfunksionimi i dy pompave të hidrovoreve. Gazetari Mehmeti bën me dije se në rast se këtio dy pompa do të funksiononin, situata në Vlorë nuk do të ishte e këtyre përmasave.

Policia e Vlores
Më datë 10-11.10.2015 si pasojë e reshjeve të dendura dhe të pandërprera gjatë pasdites së djeshme dhe natës së sotme janë shkaktuar përmbytje në pjesën më të madhe të qytetit.

Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet: “24 Maji”, “Pavarësia” “15 Tetori”

Nga ana e shërbimeve të Policisë jane marre menjehere masa per evakuimin e 8 familjeve me rreth 25 persona nga shtepite qe jane permbytur ne keto lagje, ku 3 prej tyre jane derguar ne Spitalin Rajonal per trajtim mjekesor.

Gjithashtu policia ben me dije se ne disa rrugë te qytetit, si “10 Korriku”, qarkullohet me veshtiresi dhe se disa prej segmenteve qe lidhin qytetin e Vlores me Fierin, Orikumin dhe fshatrat perreth jane te pakalueshme si rezultat i inerteve te shkaktuara nga shirat e rrembyeshem. Eshte raportuar edheper disa krere bagetish te ngordhura.

Ne qytetin e Sarandes dhe Delvines nuk ka pasur reshje shiu dhe situata paraqitet e qete. Te gjitha sherbimet e Policise jane ne gatishmeri per permabllimim e situates si dhe jane ngritur shtabe emergjence.

Përmbytjet, evakuohen rreth 50 persona ne Vlore
Për shkak të situatës së rënduar të krijuar nga përmbytjet e orëve të fundit, është ndërhyrë dhe janë evakuuar disa familje me 50 persona, të cilat rrezikoheshin nga ujërat. Prefektja e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, tha se, 20 prej këtyre personave janë sistemuar në konviktin e Shkollës së Mesme “Industriale”, ku përveç akomodimit u është ofruar edhe ushqimi i nevojshëm. Po ashtu, disa të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal, ku janë nën kujdesin e mjekëve. Në këto momente, në spital po transportohet edhe një qytetar me statusin e invalidit, i cili është përballur me probleme të krijuara si pasojë e përmbytjeve. Familjet e evakuara janë banore në lagjet “10 Korriku” dhe në Ujin e Ftohtë (zona “7 pallatet”), ku situata është mjaft e rënduar.

FIER
Por stuhia me reshje shiu gjatë orëve të natës ka shkaktuar dëme të mëdha dhe në Fier. Lumi Gjanica ka dalë nga shtrati duke vërshuar rrugëve të qytetit. Si pasojë, lagja ‘1Maji’ është përmbytur, ku niveli i ujit ka arritur lartësinë 2 metra. Lumi vijon prurje të mëdha, ndërsa rreziku pritet të rritet dhe në orët në vijim, pasi reshjet do të rinisin.
Në Fier ka nisur evakuimi i banorëve të sëmurë drejt zonave të sigurta.

Lumi i Gjanicës ka dalë në unazë dhe ka ndërprerë qarkullimin rrugor duke bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve drejt Vlorës.

FIER, SHTABI I EMERGJENCËS: 550 BANESA E 150 LOKALE TË PËRMBYTURA
Pasditen e sotme rreth orës 15:20 Shtabi i Emergjencës në qarkun e Fierit bëri të ditur se janë 550 ndërtesa të përmbytura në Fier, si dhe 150 lokale. Ndërkohë janë evakuuar 60 familje nga banesat e tyre për shkak se rrezikonin.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, Shtabi i Emergjencës ka vënë në dispozicion 60 mjete, ndërkohë që po evidentohet të gjitha dëmet.

Policia e Fierit: Situatë kritike në disa zona, banorët do evakuohen

Policia e Fierit bën të ditur se situata paraqitet kritike kryesisht në lagjen “1 Maji” , tek ura me shkallë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, tek lagjia “Liri” dhe “Sheq i madh”. Policia njofton se po merren të gjitha masat për evakuimin e banorëve.

“Si pasojë e reshjeve të dendura dhe të pëndërprera gjatë pasdites se djeshme dhe natës së sotme, lumi “Gjanica” ka dalë nga shtrati e për rrjedhojë janë përmbytur disa lagje të qytetit. Më kritike situata është në lagjen “1Maj” te ura me shkallë dhe te ura me bacarela; Në lagjen “Kongresi i Përmetit”; Në lagjen “Liri” dhe në lagjen “Sheq i Madh”.

Menjëherë është ngritur grupi i punës i përbërë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë,Forcat e Zjarrfikëses,Policia dhe Njësia Vendore dhe po merren masa për evakuimin e qytetarëve që janë bllokuar nga uji brenda banesave të tyre. Në ndihmë të situatës është nisur dhe Delta Forcë.” thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

Bizneset e banesa nën ujë dhe plot baltë
Mëngjesi i sotëm ka gjetur qindra biznese e banesa që ndodheshin në katet e para të përmbytura nën ujë. Pronarët e tyre janë vënë në lëvizje ditën e sotme të heqin baltën nga shtëpia por asgjë nuk premton për mirë. Reshjet e shiut po kthehen dhe pritet sërish përsëritja e situatës.

Sot ne Fier
fieri

RESHJET, RRUGËT E ELBASANIT NËN UJË
Përveç jugut të vendit, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Elbasan. Sipas raportimeve nga terreni, disa rrugë të këtij qyteti janë totalisht nën ujë. Bëhet fjalë për “Rrugën Rinia” dhe “Rrugën e Re”. Për shkak të sasisë së madhe të reshjeve, kolektorët nuk përthithin dot sasinë e madhe të reshjeve. Përroi i Zaranikës në Elbasan ka shkatërruar argjinaturën dhe rrezikon të shkatërrojë një banesë si dhe një kabine elektrike pranë rrjedhës.

Situata në Elbasan
elbasn përmbytja 3

RESHJET, MPB: SHTABET E EMERGJENCAVE, NË GATISHMËRI. JA SITUATA NË QARQE
Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë që kanë nisur prej pasdites së djeshme dhe problemeve që kanë shkaktuar, në gjithë Shqipërinë janë ngritur që mbrëmjen e djeshme me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë.

Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrfikës, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, të Transporteve, të Ministrisë së Punëve të Brendshme po punojnë në terren për përballimin e situatës, nën drejtimin e Prefektëve në çdo qark.

MPB njofton se anë evakuuar disa familje në Vlorë dhe Fier dhe janë marrë masa për strehimin e tyre.
Janë marrë masa për zhbllokimin e akseve rrugore ku ka shembje dherash, në Elbasan, Korçë dhe Vlorë.
Janë vënë në dispozicion disa motopompa për thithjen e ujit nga banesa dhe garazhe.

Bazuar në informacionet e dërguara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile situata më problematike paraqitet:

Qarku Vlorë: Si rezultat i reshjeve të shumta të shiut, një shtetas ka humbur jetën duke u mbytur si pasojë e vërshimit të përrenjve në Radhimë të Vlorës. Shtetasi Luan Qarri, 50 vjeç, po udhëtonte me makinë në momentin e vërshimit të ujit të cilat përmbysën mjetin. Po si rezultat i reshjeve të rëna janë me prezencë uji dhe të përmbytura lagja “24 Maji” dhe “15 Tetori” për këtë arsye janë evakuuar 8 familje me 25 persona. Po punohet për rivendosjen e energjisë elektrike, në zonën e Novoselës.

Qarku Elbasan: Si pasojë e reshje të rëna në këtë qark gjatë të ditës së djeshme dhe në vazhdim, ka pasur një devijim të rrugës aktuale të Aksit rrugor Elbasan-Gramsh, në aksin e vjetër Elbasan-Tregan-Gramsh. Për pasojë pati bllokim të qarkullimit të automjeteve në këtë segment rrugor. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë së qarkullimit rrugor, Drejtori i Drejtorisë Rajonale Qendrore të Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtues të Bashkisë Gramsh, të cilët morën masat përkatëse. U kontaktua me firmat private që dërguan menjëherë 4 mjete, të cilat po punojnë intensivisht për hapjen plotësisht të rrugëve, duke normalizuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.

Qarku Korçë: Në këtë qark gjatë ditës së sotme, si rezultat i reshjeve të shumta, lumi Vërdovë doli nga shtrati dhe ujërat e tij vërshuan drejt banesave dhe rrugëve të fshatit Vërdovë dhe Buçimas, si dhe të qytetit Pogradec. Për pasojë është shembur një banesë në Vërdovë.  Menjëherë u angazhuan forcat dhe mjetet e Bashkisë Pogradec, PMNZSH-së Pogradec, Bordit të Kullimit Pogradec, Komisariatit të Policisë Pogradec, për normalizimin e situatës së krijuar.

Në aksin nacional Ersekë-Korçë ka pasur bllokime të rrugës nga inertet po punohet për hapjen e normalizimin e situatës. Në bashkinë Ersekë raportohet se janë mbytur një sasi e konsiderueshme e bagëtish.

Qarku Fier: Në këtë qark gjatë ditës së sotme, si rezultat i reshjeve të shumta të ditës së djeshme lumi Gjanica ka dalë nga shtrati pasi ka pasur prurje të shumta nga reshjet e rëna. Për pasojë janë përmbytur banesat, bizneset, etj., që ndodhen pranë shtratit të këtij lumi. Forcat e Bashkisë Fier, të PMNZSH-së Fier, të policisë, etj., kanë punuar me tre motoskafë si dhe 2 automjete zjarrfikëse së bashku me të gjithë forcat duke evakuauar rreth 30 familje nga zona e përmbytur. Qarqet me më pak probleme janë Shkodra dhe Gjirokastra.

E RREMBEN PERROI, HUMB JETEN NJE PERSON NE RADHIME
Një person ka humbur jetën sot në Vlorë për shkak të motit të keq. Luan Qarri 50 vjec është rrëmbyer nga rrjedha e një përroi teksa po udhëtonte me makinë. Qarri i punësuar si roje nate po kthehej në shtëpi nga puna kur automjeti me të cilin udhëtonte është marrë përpara nga ujrat e rrëmbyera të një përroi që ishte tejfryrë nga reshjet e shiut të rëna për gjatë orëve të fundit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Radhimës kurse trupi i të ndjerit u gjet sot paradite në bregdetin e Rradhimës.

POGRADEC, SHEMBET NGA SHIRAT BANESA E FAMILJES ABRASHI. NJË VIT MË PARË LUMI RRËMBEU KRYEFAMILJAREN
Ndërkohë vijon gjëma për një familje që jeton pranë lumit të Vërdovës në Pogradec. Një vit më parë në familjen Abrashi me banesë buzë lumit, lumi shembi murin rrethues dhe rrëmbeu kryefamiljaren M.Abrashi 38 vjec, që ndodhej në bahce, trupi i së cilës u gjet dhjetra orë më vonë në të dalë të fshatit. Por me nisjen e shirave të vjeshtës, familja Abrashi tronditet sërish. Lumi i Vërdovës del nga shtrati dhe jo vetëm rishemb murin rrethues të shtëpisë por rrëzon muret e banesës duke rrezikuar jetët e familjarëve që ndodheshin aty.

ERSEKË
Moti i keq ka goditur dhe Ersekën, ku për shkak të reshjeve të shiut dhe inerteve ka dalë jashtë funksionimit ujësjellësi. Për pasojë qindra qytetarë aktualisht janë pa ujë të pijshëm. Kreu i Bashkisë bën të ditur se do të ndërhyhet për largimin e inerteve.
Gazetari Elton Dono informon se rreth 500 dele janë mbytur në Ersekë përgjatë kullotave në pjesën e poshtme të malit të Gramozit. Delet e ngordhura janë shprëndare përgjatë rrjedhës së lumit që ka vërshuar duke dalë dhe nga shtrati. Gjithashtu uji ka marrë me vete dhe një autobus dhe e ka cuar poshtë rrjedhës, fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Erseka përvec ndërprerjes së energjisë nga stuhia me erë dhe shi, dëme janë shkaktuar dhe në rrugë ku inertet kanë bllokuar rrugën.

LUSHNJË
Gjëndja nuk paraqitet e mirë as në Lushnje. Në zonat e Myzeqesë problem është ndërprerja e energjisë elektrike, ndërsa jashtë funksionit kanë dalë disa kanale kulluese.

SKRAPAR
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Skrapar, ku rrugët janë përmbytur, ndërsa është dëmtuar ujësjellësi dhe sistemi i kanalizimeve. Po ashtu raportohet se vërshimi i ujërave ka dëmtuar një këmbë të urës së Kacabashit, ndërsa muri rrethues i shkollës “Zylyftar Veleshnja” është shembur.

DURRËS
Reshjet e shiut kanë shkaktuar mesditën e sotme përmbytje dhe në Durrës. Uji ka arritur në trotuare dhe është bërë i pamundur qarkullimi brenda në qytet. Gazetarja jonë Klodiana Haxhiaj thekson se më rrezik përbëjnë pusetat e hapura dhe në zonat ku ndërtohen kabllo elektrike që mund të kenë mbetur zbuluar të cilat kthehen në rrezik për qytetarët. Problematike është dhe zona e tregut të qytetit, ku tregtarët shprehen se malli u është dëmtuar duke hyrë në magazina.

LEZHË
Por hartës së përmbytjeve u është shtuar dhe qyteti i Lezhës. Si cdo stinë shirash, Lezha nuk bëri përjashtim as këtë vit nga përmbytjet. Disa lagje në këtë qytet si ajo ‘Skanderbeg’ e zona e spitalit janë prej mesditës nën ujë. Shkak për përmbytjet është bërë mospastrimi i kanaleve kulluese.

ARRSH: JA GJENDJA E AKSEVE  RRUGORE NË TË GJITHË VENDIN
Autoriteti Rrugor Shqiptar, për situatën më të fundit në rrugët e vendit.
Prej mesnatës po punohet nga Shtabi i Drejtorisë në të gjitha akset rrugore. Akset kryesore janë tërësisht në funksion të plotë dhe nuk ka bllokime. Ka pasur rrëshqitje dherash në disa zona, por me ndërhyrjen e drejtorive rajonale situata është normalizuar.

Segmentet më të vështira për momentin janë:
Vlorë-Fushë Dukat
Ersekë-Korçë
Këlcyrë-Ballaban
Aksi Banjë -Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli.

Po pastrohet rënia e gurëve të vegjël në segmentin Gramsh – Kodovjat. Në segmentin Pajovë – Elbasan ka pasur rënie gurësh dhe bllokim të një korsie ku është ndërhyrë në orën 4 të mëngjesit dhe tani është funksionale, po në këtë segment vazhdon pastrimi i gurëve të vegjël.

Në segmentin e Durrësit ka pasur ujë në disa pjesë të autostradës, por që është ndërhyrë nga firma kontraktuese dhe është normalizuar qarkullimi. Akset e tjera janë të kalueshme dhe po punohet.

ARRSH në bashkëpunim me drejtoritë rajonale dhe emergjencat civile ndjek në terren situatën dhe është e angazhuar, për të ndërhyrë në çdo emergjencë. Ka gatishmeri në të gjitha akset.

PANARITI INSPEKTON HIDROVORET DHE KANALET KULLUESE NË LUSHNJE

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti udhëtoi mëngjesin e sotëm drejt Lushnjës, për të inspektuar nga afër hidrovoret dhe kanalet kulluese, pas shirave të rrëmbyer që shkaktuan përmbytje në disa zona në Fier, Vlorë dhe Lushnje. Mësohet se e gjithë struktura e Ministrisë së Bujqësisë ndodhet në terren për të përballuar situatën emergjente.

(d.b/er.nu/el.sp/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: