Kryeministri rumun, Nicolae Ciuca ka dhënë dorëheqjen, një akt ky i marrë për t’ia lënë postin e kryeministrit një partneri nga koalicioni.

Një lëvizje e tillë ishte paralajmëruar si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit që synon ruajtjen e stabilitetit në një vend të rrënuar nga grindjet politike.

Ciuca, gjeneral i pensionuar i ushtrisë, dha dorëheqje pas gati 19 muajsh për t’ia dorëzuar pushtetin udhëheqësit socialdemokrat, Marcel Ciolacu.

Sipas Financial Times, të dy ranë dakord të zëvendësojnë njëri-tjetrin në vitin 2021, pasi Rumania ndryshoi shtatë kryeministra në më pak se 10 vjet.

Zëvendësimi u vonua për disa javë shkaku i grevës së mësuesve dhe pas disa tentativave të dështuara, Ciuca arriti të bindë sindikatat të heqin dorë nga protestat e tyre duke u dhënë atyre paga më të larta dhe duke u premtuar përmirësim të kushteve të punës.

“Ne po fillojmë procedurën e rotacionit dhe planifikojmë që në fund të kësaj jave të kemi një qeveri të re që të vazhdojmë të zgjidhim të gjitha çështjet në vend”, shtoi Ciuca.

Pas konsultimit me presidentin, Klaus Iohannis, i cili propozon kryeministrin, Ciolacu, nëse emërohet, ka dhjetë ditë kohë për të paraqitur kabinetin dhe për të marrë miratimin nga parlamenti.

Iohannis tha më herët se nuk do të kundërshtonte ndryshimin e pushtetit, nëse ka një marrëveshje brenda koalicionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb