Lëvizja Socialiste për Integrim, kërkon informacion nga SPAK në lidhje për kallëzimin e bërë ndaj një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të qeverisë, të implikuar sipas tyre në aferën e inceneratorëve.

LSI ka depozituar padi ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçit, ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për dhënien e koncensionit për ndërtimin e Landfillit të Tiranës. LSI kërkon nga SPAK-u dhënien e katër informacioneve të lidhura me:

1) Statusin Juridik të procedimit penal;

2) Pa cënuar parimin e sekretit hetimor, aktet dhe provat e administruara nga Prokuroria si dhe informacion lidhur me personat që po hetohen nga Prokuroria dhe statusin penal që i atribuohet personave që po hetohen;

3) Nëse ka persona që kanë status penal “nën hetim” apo “të pandehur”, kërkojmë informacion lidhur me masat konkrete të sigurisë që janë marrë nga Prokurori i
çështjes.

Njoftimi i LSI:

Lëvizja Socialiste për Integrim, në datë 04.03.2021 ka depozituar një kallëzim penal në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Z. ERION VELIAJ; Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Z. ËNGJËLL AGAÇI; Titullarit të Autoritetit Kontraktor, Ish Ministrit të Mjedisit, Z. LEFTER KOKA; Ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Z. ALQI BLLAKO; Komisionit të Dhënies me Koncesion për projektin “Për Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitim i Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe Prodhimin e Energjisë Elektrike”.
Gjithashtu, në datë 16.12.2021 kemi depozituar pranë jush material me prova shtesë në funksion të hetimit të veprave penale të kallëzuara.

Si subjekt që ka në mënyrë të drejtpërdrejtë interes të ligjshëm lidhur me kallëzimin e depozituar, si dhe bazuar në nenin 283 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me anë të kësaj kërkese kërkojmë informacion lidhur me:

1) Statusin Juridik të procedimit penal;

2) Pa cënuar parimin e sekretit hetimor, aktet dhe provat e administruara nga Prokuroria si dhe informacion lidhur me personat që po hetohen nga Prokuroria dhe statusin penal që i atribuohet personave që po hetohen;

3) Nëse ka persona që kanë status penal “nën hetim” apo “të pandehur”, kërkojmë informacion lidhur me masat konkrete të sigurisë që janë marrë nga Prokurori i çështjes.

Sjellim në vëmendjen tuaj, se afati maksimal i parashikuar nga neni 323 dhe 324 I Kodit të Procedurës Penale, për përfundimin e hetimeve është 2 vjet. Në këto kushte do të vlerësonim maksimalisht respektimin e këtij afati ligjor nga Institucioni Juaj.
Duke ju falenderuar, mbetemi në pritje të informacionit Tuaj !

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb