NGA ELTON DONO*

KORÇË- Mbi 15 familje, kryesisht pjesë e komunitetit rom kanë protestuar sot në Korçë kundër daljes nga banesat ku ata jetojnë, në kuadër të restaurimit të godinave të Pazarit të Vjetër të këtij qyteti. Banorët shprehen se ata nuk kanë ku të shkojnë nëse dalin nga banesat, për të cilat ata u paguajnë një qira minimale ish-pronarëve.

Për ta kjo është një shkelje nga bashkia që u ka dorëzuar një shkresë, të cilën ata e quajnë  “paçavure”, pasi ajo i njofton për të dalë nga shtëpitë brenda datës 6 korrik, por nuk bën me dije destinacionin e tyre, duke qenë se kanë prej vitesh statusin e të pastrehut.

Në mbështetje të tyre ka ardhur edhe ndihmëskomisioneri i Avokatit të Popullit, Arben Gjoleka, i cili mori të gjitha firmat e banorëve të prekur. Gjoleka tha se Bashkia Korçë nuk ka asnjë të drejtë ndaj këtyre banesave dhe banorëve, duke qenë se këto banesa u janë kthyer ligjërisht ish-pronarëve. Sipas tij, kjo situatë krijon problematike sociale të rëndë.

Të kontaktuar nga News24 përfaqësues të Bashkisë Korçë thanë se nga ana e tyre është kërkuar prej kohësh leja për ndërtimin e banesave sociale për mbi 25 familje, por ende nuk është ndezur drita jeshile nga Ministria e Zhvillimit Urban. E sipas tyre, ky ngërç nuk mund të pengojë punimet e nisura për restaurimin total të pazarit të vjetër të Korçës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: