“Muret e Portës” në Porto Romano, Durrës, monument kulture i kategorisë së I-rë u restauruan falë një projekti të mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës.

Projekti konsistoi në pastrimin nga vegjetacioni në të dy krahët e murit, vendosjen e rrethimit me material druri, sistemimin e skarpatës, si dhe vendosjen e tabelës informuese të monumentit.

“Ky është një projekt i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i cili është zbatuar gjatë muajit Dhjetor të vitit 2017”, thuhet në një postim të Ministrisë së Kulturës.

Muret e Portës ndodhen rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit në vendin e quajtur “Porto Romano”, ku ruhen ende mbetjet e një muri, i cili mbyllte dikur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës. Në ditët e sotme ruhet vetëm një trakt rreth 60 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe me lartësi 4 m.

Forma e kullave dhe teknika e ndërtimit ndryshon nga ajo e murit rrethues të qytetit të Durrësit. Kalaja e Portës u ndërtua në shek. VI. Kulla e vetme e ruajtur në murin e Portës, si nga përmasat, vendosja e shkallëve, hyrjeve etj, të kujtojnë kalanë e Rusofës në Siri, të ndërtuar nga perandori Justinian.

“Muret e Portës” në Porto Romano, Durrës, janë shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë në 24 qershor 2016 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, me propozimin e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës në kuadër të vënies në mbrojtje, dokumentimit dhe restaurimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: