FRANCË-Revista franceze “Charlie Hebdo”, e cila humbi 12 punonjës nga sulmet terroriste më 7 janar, nuk do të botojë më karikatura të profetit Muhamed.
Lajmi konfirmohet nga karikaturisti Renald “Luz” Luzier për revistën “Inrocks”, duke shtuar se vizatimi i profetit nuk i intereson më. Ishte pikërisht ky karikaturist i cili dizajnoi faqen e parë të revistës pas sulmeve të Parisit, duke shitur mbi 5 milionë kopje.

“Jam lodhur duke vizatuar Muhamedin, ashtu siç u lodha duke e vizatuar Sarkozy-n. Nuk dua ta kaloj jetën duke vizatuar ata”,- ka thënë Luz, duke shtuar se “terroristët nuk kanë fituar”.

Disa ditë pas sulmit, revista satirike publikoi në faqen e parë karikaturën e profetit Muhamed duke lotuar nën moton “Të gjitha janë falur”, ndërsa mbante parrullën “Je suis Charlie”, e cila u bë e famshme në mbarë botën.

Sipas BBC, “Charlie Hebdo” paraprakisht kishte shumë probleme me fondet për shkak të përmbajtjes kontroverse, por pas sulmeve dhe në emër të lirisë së fjalës, tani mbështetet me dhjetëra miliona dollarë. Luz, ka thënë gjithashtu se së shpejti do të publikojë librin e tij “Catharsis”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: