SHBA- Revista Rolling Stone ka kërkuar falje dhe ka tërhequr një shkrim të sajin mbi dhunimet në një kampus universitar në Shtetet e Bashkuara, pas një shqyrtimi të pavarur mbi pretendimet e theksuara në artikull.

Redaktori përgjegjës, Will Dana, u ka kërkuar ndjesë lexuesve dhe “të gjithë atyre që janë dëmtuar nga artikulli në fjalë”.

Artikulli, i publikuar në nëntor të vitit 2014, përshkruante dhunime në grup në një universitet të Virxhinias në SHBA, me pretendimin se kanë ndodhur në vitin 2012.

Hetimet e autoriteteve të rendit prej 4 muajsh nuk kanë gjetur dëshmi mbi këtë incident. Megjithatë, shefi i policisë, Timothy Longo, tha se kjo nuk do të thotë se diçka e tmerrshme nuk i ka ndodhur studentes Jackie, e cila ka shfrytëzuar këtë pseudonim për të denoncuar rastin.

Në raportin e Universitetit të Gazetarisë në Kolumbia, i kontraktuar nga Rolling Stone, artikulli cilësohet si “dështim gazetaresk”.

I shkruar nga gazetarja Sabrina Erdely, artikulli prej 9 mijë fjalësh, me titullin “Një dhunim në kampus”, bazohej vetëm në një burim informacioni – në studenten Jackie.

(ma.ar/rel/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: