TIRANË- Revista prestigjoze ‘Rolling Stone” i ka kushtuar një artikull,  yllit shqiptar të futbollit amerikan, Kristjan Sokoli.

Në artikullin me titull “Ëndrra Amerikane e Kristjan Sokolit: Nga Shqipëria në Ligën Kombëtare të Futbollit”, revista Rolling Stone” jep detaje nga debutimi i shqiptarit Sokoli.

Më 15 gusht, Kristjan Sokoli, i pari person i lindur në Shqipëri që ka nënshkruar një kontratë me Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan, luajti ndeshjen e tij të parë me skuadrën e Seattle Seahawks.

Revista “Rolling Stone” ka kontaktuar me familjen e tij dhe Kristjani gjithashtu dërgoi një mesazh ekskluziv për të gjithë shqiptarët, nëpërmjet faqes së revistës në ‘Facebook’.

“Për mua kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Dua të dërgoj një falenderim shumë të madh për të gjithë shqiptarët që më kanë shfaqur mbështetjen e tyre, anembanë vendit dhe botës. Ne jemi një komb i madh, me njerëz punëtorë. Kam respektin më të madh për të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë kudo në botë,” thotë Kristjani.

Kristjan Sokoli, 23-vjeçari i cili për tre vitet e fundit ka luajtur si mbrojtës me skuadrën universitare Bufalo Bulls, ka siguruar një kontratë profesionisti me një nga skuadrat më të njohura të këtij kampionati, Seatle Seahawks. I përzgjedhur në raundin e 6-të të draftit të këtij viti në NFL, Sokoli tashmë do të ketë mundësi të tregojë aftësitë e tij mes profesionistëve në një prej ekipeve më të forta të viteve të fundit, fitues i “Superbowl” në vitin 2014 dhe finalist i tij në vitin 2015.

Sokoli, me origjinë nga Shkodra, por i emigruar në SHBA që në moshën 9-vjeçare, nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen e tij dhe ndjek rregullisht atë që ndodh në Shqipëri. Pak kohë më parë, një nga postimet e tij në Twitter, ku ka një foto të flamurit kuqezi, i kushtohej fitores 2-1 të kombëtares shqiptare të futbollit ndaj Armenisë. Dëshira për të bërë krenar shqiptarët është ajo që ka motivuar më shumë sportistin dhe e shtyn që të japë maksimumin në këtë mundësi të artë që i është hapur për karrierën e tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: