TIRANE- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News 24 sqaroi për herë të parë marrëveshjen me 8 mjekët e Urgjencës që pak ditë më parë dhanë dorëheqjen si pasojë e fluksit të madh të pacientëve në QSUT.

Manastirliu tha se aktualisht të gjithë mjekët janë në punë dhe se situatës i është dhënë zgjidhe duke krijuar një sistem të ri patronazhimi, që ka për qëllim të rrisë shërbimin në spitalet rajonale duke mos mbingarkuar QSUT-në. Ministrja foli edhe për dyfishimin e bonusit për mjekët që ofrojnë shërbime në rrethe.


Çdo shqiptar pa revoltën e mjekëve drejtpërdrejt nga Urgjenca, si e përcollët ju këtë dorëheqje të mbetur në tentativë?
Më mirë se kushdo këtë situatë e shpjegoi shefi i urgjencës Edmond Zajmi, i cili informoi në fakt të gjithë qytetarët që shërbimi atje vijon. Ka problematika për shkak të fluksit, këtë unë ua konfirmoj se për tre vjet e gjysmë e kam drejtuar QSUT dhe e di fluksin në muajt nëntor e dhjetor për shkak të rritjes edhe të sëmundshëmrisë. Ky fluks vjen për disa arsye, këto lidhen edhe me besimin e publikut tek këta mjekë
Fluks ka edhe gjatë fundjavës?
Problematikat e shfaqura nuk kanë lidhje me kushtet e punës. Në urgjencë trajtohen me përparësi të gjitha rastet e urgjencës së jetës, apo kodit të kuq. Ka një fluks të shtuar që krijon një lloj mbingarkese për punën e mjekëve dhe ne po e marrim në konsideratë duke krijuar një sistem të ri patronazhimi, që po e krijojmë në spitalet rajonale.
Por duket sikur të gjithë njerëzit po zbarkojnë drejt Tiranës, pse duhet të ndodhë kjo? A kanë rënë mjekët në fjalë dakord me kushtet që keni ofruar ju?
Mjekët janë në punë, po ofrojnë shërbim të specializuar për të gjithë pacientët. Nga ana tjetër ne kemi marrë disa veprime konkrete për të fuqizuar spitalet rajonale. Duhet të kuptojmë që kjo nuk është një situatë që zgjidhet me lëvizjen e gishtit. E para gjë për të cilën jemi duke punuar, janë mjekët specialistë. Por ju e dini mirë se deri në vitin 2013-të nuk ishin hapur specializimet nga qeveria e vjetër. Hapja e specializimeve në 2014-të do sjellë rezultatet e para kur ata të mbarojnë specializimin në janar të 2019. Pra, në spitalet ku ka sot mangësi do shpërndarën rreth 340 mjekë specialistë. Deri në atë kohë ne do operojmë me sistemin e patronazhimit që spitalet universitare do të ofrojnë asistencë tek spitalet rajonale dhe anasjelltas. Paralelisht me këtë ne po punojmë për të dyfishuar bonuset, për mjekët që do shkojnë të ofrojnë shërbim në spitalet rajonale.
Prej një viti ka një VKM për mjekët specialistë që të shkojnë në spitalet rajonale e më pas në spitale të tjera, ku ndryshon sistemi i bonusit me atë të patronazhit?
Sistemi i bonusit është një sistem që ofron 1 milion lekë të vjetra për ata që pranojnë të shkojnë në spitale aktuale. Aktualisht kemi 9 mjekë që kanë pranuar. Në lidhje me shpërndarjen e mjekëve, qeveria ka vendosur të dyfishojë masën e bonusit. Ne duam të fuqizojmë spitalet rajonale.
Por para se të presim një rezultat të plotë, a konfirmohet fakti se në QSUT ka mungesë mjekësh aktualisht?
Unë e shpjegova, mjekët urgjentistë në 2015 kemi pasur 11 mjekë urgjentistë, të cilët 8 prej tyre punojnë në QSUT, njëri është punësuar në sistemin privat dhe një mjek tjetër është jashtë vendit. A janë të mjaftueshme? Jo nuk janë. Ndaj ne kemi marrë masa për të hapur specializimet që të mos kemi më mungesa
A keni ju dijeni se nga Urgjenca do të largohen drejt Gjermanisë 7 mjekë specializantë?
Unë nuk kam një informacion të tillë, por dua t’ju them se mjekët specializantë kanë një kontratë, ato janë shumë të qarta. Ata mjekë që janë me kuota të zëna do vijojnë të qëndrojnë këtu.
Po tek Pediatria si punohet, a ka probleme aty në mungesa në mjekë A duhet parë diçka?
Urgjenca e Pediatrisë është një urgjencë që funksionon në masën 50% si një urgjencë reale dhe në masën 50% si një urgjencë e cila praktikisht plotëson ato nevoja të shërbimit shëndetësor parësor. Ne po tentojmë të furnizojmë urgjencat e tjera të Tiranës, që të lehtësojmë atë të QSUT. Por, këtu hyn edhe ajo çështja e besueshmërisë, që prindërit e shohin QSUT si vendin më të mirë për të vizituar fëmijët. Ndaj ofrojmë rrjetin e shërbimeve “24 në 7”.
Po për sa i përket të sëmurëve kronikë që për një firmë për një medikament presin në radhë do ketë ndonjë lehtësim?
Në fakt ju po ngrini një shqetësim të drejtë dhe ky është një nga rastet kur pacientëve do t’ju vihet në ndihmë. Ky është edhe projekt i kryeministrit, heqja e burokracive në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Ne jemi duke eliminuar çdo ditë nga një dokument që krijon radhë e zvarritje, kemi filluar dhe do arrijmë të reduktojmë rreth 50% të dokumenteve që sot dorëzohen nga qytetarët. Ka ende shumë punë për të bërë, por po e fillojmë me procedurën e kempeve e më pas me atë të rimbursimit të barnave.
Sa për spitalet, ka denoncime nga opozita. Ata thonë se ka një projekt për të mbyllur spitalet bashkiake. Ka një të vërtetë në gjithë këtë? Cili është komenti juaj?
Nuk është e vërtetë, këtë ua konfirmoj 100%. Detyra jonë është të ofrojmë shërbime aty ku qytetarët kanë vendbanimet e tyre. Ne po punojmë me Bankën Botërore për të transformuar spitalet, s’kemi luks të mbyllim spitale. Kemi detyrë që t’i fuqizojmë spitalet.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: