NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Shqyrtimi i kërkesave dhe kthimi i tokës bujqësore ish-pronarëve do të nisë sot. Janë 23 mijë hektarë tokë bujqësore e vënë në dispozicion të ish-pronarëve si fond kompensimi fizik. Deri tani në Agjencinë e Trajtimit të Pronave presin 11 mijë dosje. Ndërsa dje, me një vendim të posaçëm, qeveria ka përcaktuar kriteret që do të ndiqen për ndarjen e tokës bujqësore. Ndërsa kompensimi në vlerë monetare do të ketë një kufi. “Në rastet kur, nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën. Në rastet kur, nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5% mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës” – thuhet në vendimin e qeverisë.

Vendimi
Subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, depoziton në Agjencinë e Trajtimit të Pronës (në vijim ATP), drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij. Kërkesa e subjektit të shpronësuar, trashëgimtarëve të tij ligjorë ose përfaqësuesit me prokurë, duhet të jetë sipas formularit tip, bashkëlidhur këtij vendimi, për aplikimin e kërkesave për njohje e kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.

Procedurat e kompensimit
Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit të pronës bëhet përfundimtar. Vlerësimit bëhet përfundimtar kur: ka kaluar afati i përcaktuar në pikën 3, të nenit 19, të ligjit nr.133/2015, dhe nuk ka pasur ankim; subjektet e interesuara dhe Avokatura e Shtetit deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim dhe ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Sipas vendimit Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim. ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm . Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës.

Pagesat
Sipas vendimit, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 milionë lekë, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.

Fondi fizik
Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet që e kanë lëshuar atë. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. ATP-ja njofton publikisht, nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, Buletinit të njoftimeve zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të Pronave.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: