Partizani në këtë fillimvit është përfshirë në një revolucion dhe një rigjenerim të skuadrës thuajse nga e para. Nga skuadra u larguan gjashtë lojtarë dhe u afruan po gjashtë (për ekipin e parë). Të gjitha këto zhvillime kanë nevojë për një analizë në këndvështrimin ekonomik dhe sportiv. Partizani po funksionon mirë si biznes, por ka shumë skepticizëm sesi do të funksionojë si ekip në fushë.

ARKA PLOT – Gjatë kësaj merkatoje të dimrit nga Partizani u larguan gjashtë lojtarë. Ekipin e lanë Zguro dhe Piloto me parametra zero dhe u shitën për mbi 1 milionë euro Rrapaj, Mba, Cara dhe Hadroj. Një klub duhet të mbajë veten ekonomikisht dhe te Partizani ky objektiv po funksionon shumë mirë, sepse me këto shitje te Partizani janë mbuluar thuajse të gjitha shpenzimet vjetore, çka është padyshim diçka shumë pozitive, nisur edhe nga gjendja e klubeve tona, që kanë shumë pak burime të ardhurash.

EKIPI “BOSH” – Por kur bën shitje duhet të biesh në një kompromis për dobësimin e skuadrës. Te Partizani kjo ka rezultuar e pashmangshme. Skuadra ka pësuar një goditje me largimin e katër liderëve dhe në merkaton e janarit bordi drejtues nuk ka arritur të plotësojë gjithë boshllëkun e krijuar në ekip. Ka role, ku trajneri nuk ka opsione mjaftueshëm dhe për tu theksuar është mesfusha, e cila aktualisht po mbulohet nga lojtarë që deri para pak muajsh ishin thjesht një opsion më shumë në stol.

RËNIA – Partizani është në rënie sa i përket lojës dhe kjo u duk shumë qartë edhe në sfidën kundër Laçit, që të paktën në 45 minutat e para dominoi në çdo aspekt. Drejtuesit nuk arritën të transferojnë asnjë mesfushor në këtë merkato, të paktën për të plotësuar ekipin në numër. Gjatë kësaj merkatoje ata kanë studiuar dhe parë shumë emra, por në fund asnjë nuk iu përshtat filozofisë dhe kushteve financiare. Përveç boshllëkut në mesfushë, ka probleme edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes. Osmanllari është i vetmi lojtar roli, por Veselinoviç nuk e llogarit. Trajneri deri më tani ka luajtur me Janjevën ose Bytyçin.

ARDHJET – Në këtë janar Partizani ka arritur të plotësojë repartin e sulmit, që në dy sezonet e fundit ka pasur mungesa veçanërisht në krahë. Në janar erdhën Podstrelov, Guxhufi, Eleke dhe Vujnoviç, që në letër janë lojtarë mjaft të talentuar, por në fushë deri më tani kemi parë vetëm Podstrelov. Ky i fundit ka dhënë sinjalet e një lojtari punëtor, por që nuk e bën dot diferencën. Guxhufi dhe Vujnoviç kanë luajtur shumë pak aq sa për t’i dalluar, ndërsa Eleke në stërvitjen e dytë të tij pësoi një tërheqje muskulore dhe do të duhet ta presim ende. Atanaskoski njihet për aftësitë e tij, ndërsa Çipi nuk figuron as në protokollet e ndeshjeve.DFGDF

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb