Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, është ende pa skuadër. Ai shkëputi disa ditë më parë marrëdhënuet me Watford në Angli, ku gjërat nuk shkuan ashtu siç shpresonte futbollisti lushnjar. Tani ai është i lirë dhe gjasat janë që të rikthehet në Spanjë.

Klubi që ka shfaqur interes deri tani për Manajn është Albacete. Me këtë skuadër, që merr pjesë në Ligën 2 të futbollit spanjoll, sulmuesi kuqezi është aktivizuar edhe më parë.

Ai e njeh mirë këtë kategori, ku ka luajtur edhe me Barcelonën B dhe me Granadën, pas largimit nga Interi. Me shumë mundësi, Manaj do të kthehet në Spanjë, ku do të bashkohet me tre kuqezinj të tjerë.

Sulmuesi shqiptar ka pasur edhe disa eksperienca në Itali, ku ka veshur fanellën e Interit, Cremonese-s, Pisa-s, Pescara-s dhe Spezia-s. Pas largimit nga Watford u fol edhe për një rikthim në vendin fqinj, por aktualisht shanset më të mëdha lidhen me pistën spanjolle. Nëse nuk gjen shpejt skuadër të re, Manaj me shumë mundësi do të mungojë edhe në Kombëtare për ndeshjet e para eliminatore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb