Edy Reja është në garë me kohën për të ndërtuar një skuadër fituese për dy ndeshjet e shtatorit, kundër Izraelit dhe Islandës. Lajmet që vijnë nga kampi kuqezi nuk janë aspak pozitive teksa italiani sheh që çdo ditë e më shumë i “zhduken” lojtarët.

Lista e lojtarëve të dëmtuar sa vjen e shtohen, i fundit që i bashkohet këtij grupi është Rey Manaj. Sulmuesi ka pësuar një dëmtim muskulor dhe koha e rikuperimit pritet të jetë e gjatë, lajm ky të cilin e konfirmoi trajneri i Watford:

“Për fat të keq, Rey do të na mungoj për disa kohë. Në analizat e detajuara, u vu re një tërheqje ndërsa lojtari duhet t’i nënshtrohet sërish një skaneri në ditët në vijim për të kuptuar më qartë dëmtimin. Vetëm pas këtyre veprimeve atëherë mund të ndërmarrim hapat e radhës. Por, ajo që mund të them me siguri është se bëhet fjalë për një dëmtim kohor të paktën afatmesëm”, u shpreh Edwards.

Në këtë periudhë të vështirë lajmi i vetëm pozitiv është rikthimi i Elesid Hysaj. Anësori kuqezi kishte pësuar një traum në gjoks, por ditët e fundit është bashkuar me grupin. Hysaj pritet të jetë pjesë e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb