Kryeqyteti u trondit mbrëmjen e 13 shtatorit nga një atentat mafioz, që i mori jetën dy të rinjve, Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Ata u vranë nga persona të armatosur në zonën e Astirit në Tiranë. Të dy viktimat, ishin me precedentë të mëparshëm penal, në fushën e grabitjes dhe të sulmeve me armë zjarri.

Sakaq, për të folur për këtë vrasje, por edhe për krimet që tronditin vendin, të ftuar në studion e emisionit “Pikat mbi i”, ishte analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala. Zheji ishte i mendimit që kur ka aksion do të ketë dhe reaksion nga grupi rival. Ndërsa gazetarja Lala, tha se këtë herë do të ketë dhe një revansh nga ana e policisë. Në studio u diskutua edhe për shpalljen në kërkim nga SPAK të biznesmenit Rezart Taçi. Gazetarja Lala, tha në këtë rast se dyshohet të jenë implikuar në skemën e pastrimit të parave edhe politikanë të niveleve të larta.

Artur Zheji: Klod modelove heroin e të keqes. Ata vetë e luajnë këtë teatër, me jetën e tyre. Po modelon heroin e të keqes me gjithë këto detaje, ku një adoleshent e sheh si modelin e një personi të fuqishëm të fortë.
Klodiana Lala: Ne kemi mision të nxjerrim këto persona. Hap FB dhe shiko se sa shumë e kam denoncuar këtë personazh.

Artur Zheji: Ju jeni një gazetare shumë e talentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Por ti e tregon atë si një rrëfim, por duhet thënë se kjo është një sindromë që ndodh edhe në Itali. Ky është një personazh që të ishte vendosur në një jetë aksioni tjetër, mund të ishte i talentuar dhe mund të jepte shumë gjëra për shoqërinë. Por shoqëria e vendosi në territor të vështirë, të varfër dhe u vra në moshën 32 vjeç. Kjo është botë e destinuar të nisë me tragjedi e të përfundojë në mënyrë tragjike.
Klodiana Lala: Unë jam gazetare, që mbuloj çështjet e drejtësisë. Jap të gjitha detajet dhe i takon publikut të gjykojë. Shpeshherë kur ne denoncojmë rastet nuk vihet uji në zjarr dhe bëjmë kronika që u vra miku i këtit, e tjetri e tjetri.

A do të provokojë një hakmarrje tjetër?

Artur Zheji: Aty nuk ka një rrugë të ndërmjetme. Kur ka aksion ka reaksion, kur ka vrasje do të ketë tentativë për hakmarrje. Kjo është sembioza e jetës kriminale. Pra, shpesh herë lufta ndaj bandave kriminale bëhet me djallëzi apo mekanizëm inteligjent të futjes në konflikt. Shumë rrallë qëllon që një super mafioz, të mund të absorbojë një provokacion të fortë dhe të ketë kundërpërgjigje pas disa vitesh. Por reagim do të ketë.

Klodiana Lala: Do të ketë edhe një revansh nga ana e policisë. Në informacionet që unë disponoj, sa herë që mendohet se një grup apo tjetri kanë mbaruar njerëzit që kryejnë krimet, dalin njerëz të rinj. Emrat që aktualisht janë të skeduar nga policia, deri dje nuk njiheshin fare, ndërsa sot njihen si vrasës me pagesë. Ne kemi folur shumë për SPAK. Para disa ditësh ajo bëri një super goditje, sekuestroi mbi 18 mln euro dhe shpalli në kërkim Rezart Taçin. Si dhe kanë arrestuar dy personat e afërt të tij. Në këtë kuptim, nëse institucionet bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të bëjë kontroll mbi territorin, mendoj se do të ketë sukses shumë të shpejtë në luftën ndaj krimit.

Artur Zheji: Derisa Taçi është i pandehur është 50% fajtor, e 50% i pafajshëm. Këtu nuk kemi të bëjmë me kriminelë të armatosur. Ne po flasim për banda që fitojnë para duke shitur drogë, trafikuar vajza, duke bërë shërbime pse jo dhe ndaj partive të caktuara. Këta janë. Dihet shumë mirë që në fushata elektorale aty marrin lekë dhe kredite për të pasur lirinë e duhur për aktivitetin e tyre. Në rastin e Taçit, që ka goditur SPAK, kjo ka të bëjë me shifra të mëdha dhe nuk është krim që vret. Në Shqipëri nëse merr para nga jashtë dhe i fut në Shqipëri e duhet të investojnë, e dekriminalizojnë këtë lloj krimi sepse thonë se të gjitha shoqëritë janë ndërtuar në formë informale.

Klodiana Lala:
Në ato që kam arritur të siguroj nga dosja hetimore, rasti konkret i Rezart Taçi mund të ketë të përfshirë dhe politikanë. Faktet janë kokëforta dhe dosja në fjalë, është ndër dosjet nëse do të hetohet dhe do t’i shkohet deri në fund do të ketë nivele politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb