E ftuar në emisionin “Alert”, në News24, nga Granit Sokolaj, Rezarta Rajta, përgjegjëse e Sektorit të Pronësisë Industriale në ISHMT, ka folur për rolin që luan ky institucion në mbrojtjen e pronësisë industriale dhe të drejtën e autorit. Rajta foli edhe për ankesat që i adresohen këtij institucioni dhe masat administrative ndaj subjekteve abuzuese.

“Pronësia intelekuale është mbrojtja e krijimeve të mendjes së njeriu. Mbështetet në një sërë ligjesh kombëtare dhe Konventash, ku Shqipëria ka aderuar në pjesën më të madhe të tyre. Ndahet në dy degë, e drejta e pronësisë së industrisë dhe e drejta e autorit, që mbron krijimet artistike, programet kompjuterike dhe veprat arkitekturore. Funksioni kryesor është t’i sigurohet pronarit të një objekti të pronësisë industriale e drejta ekskluzive për përfitimin ekonomik nga krijimi i tij. Është një shërbim përfitimi mes mbrojtësve të drejtave dhe të publikut ku ndërmjetës është shteti, për të siguruar këto të drejta të pronareve të objekteve të pronësisë industrial, si pasurimi shpirtëror i publikut nga veprat letrare, nga arti dhe kultura. Edhe për inovacionin është e rëndësishme. Një shpikës që të sigurojë të drejtën e patentës, për të përfituar ekonomikisht është i detyruar që zbulimin e tij ta bëj publik. Shoqëria mori njohuri për arritjet e reja në teknologji, të cilat u zhvilluan më tej. Aspekt tjetër është orientimi në treg përmes markave tregtare. Konsumatori i nisur nga marka orientohet për cilësinë dhe origjinën e produktit.

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale ka si funksion të japë certifikatë regjistrimi për objektet e pronësisë industriale, për markat, patentën, dizenjon dhe treguesit gjeografik. Pa këtë certifikatë nuk je i legjitimuar t’i drejtohesh organeve për cenim të drejtave të tua. ISHMT ndërhyn për të ndaluar personat që cenojnë të drejtat mbi një markë apo dizenjo. Ne jemi organi ligjzbatues, por janë një seri institucionesh që bashkëveprojnë. Është shumë i rëndësishëm regjistrimi, ata që shpikin, ndërsa publiku dhe palët e treta duhet t’i respektojnë dhe të mos jenë shkelës të të drejtave të tyre, pasi përballesh me pasoja në kohë dhe financiare. Nga raporti i sektorit të së drejtës së autorit, shkeljet janë evidentuar tek përdoruesit e programeve kompjuterike, inspektimet janë kryer tek ankesat e autorëve të këtyre programeve. Ndërsa për pronësinë industriale, ankesat kanë ardhur nga pronarë markash. Nuk kemi patur asnjë ankesë për dizenjo apo për shpikje. Masat administrative variojnë nga 100-500 mijë lekë. Në rast të ripërsëritjeve të shkeljeve, masa maksimale dyfishohet nëse kjo përsëritje kryhet në një periudhë brenda 5 viteve. Për pronësinë industrial, ISHMT ndërhyn edhe me bllokimin e mallrave dhe kjo zgjat 20 ditë. Dhe brenda këtyre 20 ditëve, ankuesi duhet ta dërgojë çështjen në gjykatë, por nëse ka gjetur nje zgjidhje tjetër, ISHMT tërhiqet nga aksioni”-deklaroi Rezarta Rajta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb