Nga: Enida Himaj*
TIRANE – Prej 10 vitesh emisioni “Arratia e Peshkut të Kuq” është shndërruar në një traditë për familjet shqiptare. Ideatorja dhe moderatorja, Rezarta Reçi rrëfen për ‘Bluetooth’ sesi ishin hapat e para për këtë format, që për kohën ishte i pari në Shqipëri. Rreth 500 personazhe së bashku me Rezartën kanë rrugëtuar në vende të ndryshme për të na zbuluar më shumë rreth tyre, por pse jo dhe një pjesë të Shqipërisë. Për gazetaren ky format është një formulë suksesi dhe nuk është ndër planet e saj të ndryshojë format, madje as ekranin e “News 24”. “Një format i konsoliduar dhe jetëgjatë krijon marrëdhënie solide me teleshikuesin, i cili duhet vlerësuar, respektuar dhe trajtuar si i shenjtë”, shprehet e bindur. Edhe pse ka një axhendë të ngjeshur, gjen kohën dhe për familjen e saj. Fundjavat, festat e gjejnë gjithnjë pranë familjes së madhe. “Koha gjendet për të gjitha, mjafton të duash”, mbyll kështu rrëfimin e saj të ngrohtë moderatorja Rezarta Reçi.
Tashmë 10 vjet me “Arratia e Peshkut të Kuq”, si e gjen ky përvjetor emisionin tuaj?
Kam ndjerë një lloj kënaqësie të brendshme të thellë, madje në segmente të caktuara të ditës më është dukur sikur unë kisha ditëlindjen. Ndërsa emisioni mendoj që tashmë është i konsoliduar, ka krijuar targetin e vet që e ndjek, e pëlqen, e vlerëson, është rrugë e gjatë!
I kujtoni fillimet, a kanë qenë të vështira për ju?
Ideja e formatit dhe realizimi i tij ka qenë i saktë në mendjen time që në krijim. Është një format që mban tërësisht autorësinë time dhe për ta zbatuar më është dashur punë, punë dhe frymë bashkëpunimi me grupin realizues, me ekranin e “News 24” dhe mbi të gjitha me personazhet me të cilët duhet të krijoja marrëdhënie besimi reciprok. Por unë bëja pjesë në fushën e gazetarisë kur e fillova këtë emision, kisha investuar një emër të mirë edhe 10 vitet e mëparshme.
Para 10 vjetësh nuk ishin të shumtë formatet e tilla, mendoni se shumë emisione televizive sot kanë huazuar nga “Arratia e Peshkut të Kuq”?
Arratia ka qenë formati i vetëm në vitin 2005! Këtë e them me bindje absolute!Tashmë është një tendencë e vazhdueshme për ta huazuar me të gjitha mënyrat.
Cilët janë personazhet që kanë më shumë audiencë ata aktualët dhe më të rinj në moshë, apo një brez më i vjetër që ndiqet më së shumti nga nostalgjikët?
Duhet të them këtu që personazhet e një brezi të vjetër nuk ndiqen thjeshtë nga nostalgjikët apo për nostalgji. Përkundrazi! Ndiqen për çfarë ofrojnë përmes mendimit, fjalës së tyre, mençurisë dhe fisnikërisë që rrezatojnë, kontributit të tyre pa kushte në shërbim të shoqërisë shqiptare. Por edhe ata më të rinj në moshë, por që kanë çfarë përcjellin, realisht ndiqen me vëmendje dhe interes. Emisioni nuk hyn tek formatet rozë, kërkon të transmetojë më shumë se argëtim dhe si i tillë mendoj që ka shikueshmërinë e vet.
Cili ka qenë i ftuari që keni shijuar më së shumti, po një personazh që jeni penduar që e keni bërë pjesë të formatit?
Personazhet që janë ndërruar tashmë nga java në javë dhe që shkojnë drejt shifrës 500 kuptohet që janë shumë të larmishëm. Kam shijuar momente shumë të këndshme me një pjesë të mirë të tyre për shkak të vetë variacionit që ofron xhirimi i tij. Kam prekur rrugën, shtëpitë, kalatë, kopshte e lulishte, pyje dhe det, lartësi dhe tokë, ditën dhe natën. Dhe të gjitha këtyre momenteve u kemi marrë, së bashku me personazhin më të mirën e mundshme, për të transmetuar tek teleshikuesi edhe shije, klas, pozitivitet, të vërteta të bukura e të pabukura. E në të gjithë këto mijëra orë punë e jete sfumohen ato të paktë emra për të cilët jam penduar…
Ekziston ndonjë emër i njohur që Rezarta do ta ketë tek emisioni i saj, por ende nuk e ka ftuar?
Ekzistojnë disa emra që lëvizin në mendjen time si të ftuar të mundshëm të Arratisë time. Janë të gatshëm të vijnë natyrisht, por mendojnë të gjejnë kohën e duhur për t’u impenjuar. A e dini pse? Sepse më thonë Arratia jote duhet marrë seriozisht, nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket…dhe unë jam në pritje.
A keni menduar ndonjëherë të ndryshoni formatin e “Arratia e Peshkut të Kuq”?
Jo, as të ndryshoj format, as të ndërroj ekran. Një format i konsoliduar dhe jetëgjatë krijon marrëdhënie solide me teleshikuesin, i cili duhet vlerësuar, respektuar dhe trajtuar si i shenjtë. Në nuancë fjale e imazhi të ndjek ai teleshikues, i cili mund të trajtohet nga ne pavëmendshëm, aq i kujdesshëm është!
Mendoni se ekrani është vetëm për fytyrat e bukura?
Mendoj se ekrani duhet të përçojë më shumë se një fytyrë të bukur! Ka shumë elementë, përveçse fytyrës që e bëjnë një njeri të bukur, me sharm fotozhenik dhe më tërheqës për publikun.
A shikoni konkurrencë sa i përket formatit që ju keni?
Konkurrenca është në çdo hap, e ndjej, më prek dhe më lëndon herë pas herë, por më bën më të vëmendshme dhe më sqimatare për standardin e emisionit tim.
Janë të shumtë emisionet që dështojnë në televizione, cila është sipas jush formula e suksesit për të pasur një projekt afatgjatë në media?
Mendoj që një analizë e tillë i takon ta bëjnë profesorë që ndjekin së jashtmi zhvillimet e mediave vizive në të gjitha elementët përbërës. Nga eksperienca ime afro 25-vjeçare në Radio dhe në Televizion mund të them që puna këmbëngulëse, ambicia pozitive dhe synimi për të dhënë më shumë se sa për të marrë, nuk të lënë asnjëherë në baltë. Zgjedh dhe përçoj vlera, dhe ky motivim më bën të ndjehem shumë mirë me veten dhe me teleshikuesin duke i dhënë edhe jetëgjatësi Arratisë!
Pas 10 vitesh “Arratia e Peshkut të Kuq”, identifikoheni ju me këtë program, apo programi identifikohet me Rezarta Reçin?
Për fat e kemi mbërritur këtë simbiozë reciprokisht. Ndjehem mirë që kjo ka ndodhur, e ngandonjëherë më ndodh kur kaloj në ambiente të njohura apo edhe të panjohura, dëgjoj togfjalëshin –Arratia e Peshkut të Kuq…buzëqesh me vete, kusuret e Arratisë këto.
Të qenurit me personazhin jashtë studios televizive, iu lehtëson apo vështirëson punën tuaj si gazetare?
Gjithshka është e vështirë, e mundimshme, jashtëzakonisht e bukur, interesante, tërheqëse, e këndshme. Lodhja sfumohet dhe ikën tej, duke lënë një gjurmë të mirë në ekranin e “News 24”!
Si është jeta e Rezartës jashtë punës së saj, hobet, pasionet?
Kam një familje të mirë të cilës i përkushtohem vazhdimisht pa e lënë pas dore. Por të them të drejtën, kam mbështetjen totale të bashkëshortit tim dhe të vajzës, si dhe të pjesës tjetër të familjes së madhe, pa të cilët nuk do të gjeja kohën e mjaftueshme për t’ia kushtuar kaq shumë profesionit. Kam një jetë të pasur artistike, kulturore, intelektuale e cila pasuron qenien time, normalisht ushqen dhe Arratinë me personazhe.
A bëni kompromise në jetën tuaj?
Më duket se nuk kam kohë as për luftë, as për kompromise. Më ka marrë malli të rri pakëz me veten dhe për qejfin tim, tashmë nuk e di përse, por nuk e kam më këtë luks.
Puna ju mban kohë larg familjes, si e kompensoni kohën që duhet të ishit me ta?
E diela dhe çdo ditë tjetër pushimi a feste është e familjes, pastaj edhe kur jam në ekran, a nuk jam pranë tyre? (qesh). Koha gjendet për të gjitha, mjafton të duash!
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb