BRUKSEL- Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian i kërkon Shqipërisë rezultate konkrete me reformat me qëllim që të avancohet procesi i integrimit.
Në një rezolutë të miratuar sot, ndër të tjera, kërkohet dialog konstruktiv qeveri-opozitë, kërkohet që dialogu mes tyre të zhvillohet në parlament, të avancohet me reformën në administratë, sistemin e drejtësisë dhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Në rekomandimet për Shqipërinë thuhet se “Këshilli mirëpret progresin e bërë nga Shqipëria. Këto arritje çuan në dhënien e statusit të vendit kandidat në qershor 2014. Vihen në dukje hapat pozitivë të ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar, me intensifikimin e veprimtarive për zbatimin e ligjit, sidomos në kapjen e drogës dhe në drejtim të reformës e gjyqësorit. Megjithatë, Këshilli vëren se sfida të rëndësishme e presin Shqipërinë. Gjithashtu në këtë raport Këshilli rithekson se Shqipërisë do ti duhet të përmbushur prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Këshilli ndër të tjera, e fton Shqipërinë të intensifikojë përpjekjet e saj për thellimin e reformave si dhe të veprojnë me vendosmëri për të adresuar prioritetet kyçe. Këshilli nënvizon në veçanti nevojën që Shqipëria “të vazhdojë reformën e administratës publike me synim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimin e administratës.

“Të ndjekë një reformë gjithëpërfshirëse të gjyqësorit për të përforcuar pavarësinë e tij, efikasitetin dhe llogaridhënien përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Të intensifikojë përpjekjet e saj kundër korrupsionit dhe të marrë hapa për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë edhe kultivimin e drogës dhe trafikimit të saj, me qëllim krijimin e një rekordi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të dy fushat; dhe të marrin masa efektive legjislative dhe të politikave për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, përfshirë edhe trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave, qasje në të drejtat e personave që u përkasin atyre, si dhe të zbatojë të drejtat pronësore. Këshilli i bën thirrje Shqipërisë për të adresuar urgjentisht mangësitë e identifikuara në lidhje me lirinë e shprehjes dhe mediave, veçanërisht për të forcuar pavarësinë e autoritetit rregullator të medias dhe të transmetuesit të shërbimit publik. Këshilli gjithashtu i bën thirrje autoriteteve për të siguruar zbatimin e qendrueshëm të reformave të ndërmarra”.

Në rekomandimet e Këshillit për Shqipërinë, thuhet ndër të tjera se duhet të vazhdojë reformat ekonomike që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mjedisit të investimeve të biznesit, arritjen e konsolidimit fiskal dhe adresimin e papunësisë së lartë po ashtu edhe nivelin e lartë të informalitetit në ekonomi.

Këshilli nënvizon se “dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës për reformat do të jetë jetik për progresin drejt BE-së. Dialogu është përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve, qeverisë dhe opozitës për të siguruar që debati politik të zhvillohet kryesisht në parlament dhe për të kontribuar në krijimin e kushteve për funksionimin e duhur të tij”.
Këshilli i kërkon Shqipërisë të ecë përpara me planet e saj për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, duke bashkuar të gjitha palët e interesuara, të cilat duhet të ndihmojnë më tej për të përmirësuar gjithëpërfshirjen e procesit të reformës.

Këshilli mirëpret angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë, të cilat mbeten thelbësore, si dhe përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: