TIRANË

Parlamenti pritet të miratojë sot rezolutën e re për Institutin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit, konkretisht për luftën e Dytë Botërore dhe krimet e partizanëve.

Kreu i këtij instituti Agron Tufa ka lexuar një pjesë të raportit vjetor të institucionit dhe më pas do të miratohet dhe rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë dhe për rekomandimet që ka dhënë për vitin 2019.

Ndryshimi i rezolutës u bë pas debatit që u hap ndërmjet Tufës dhe disa përfaqësuesve të maxhorancës pas raportit të paraqitur në komision një muaj më parë.

Më pas raporti u shqyrtua në seancë tjetër nga Komisioni i Ligjeve që hartoi dhe një rezolutë.

Por pas debatit të madh u vendos të bëheshin ndryshime në rezolutë. Motivi i debatit ishin disa botime të bëra nga Instituti, për krimet e bëra nga partizanët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ndaj maxhoranca në rezolutën e re i kërkon Institutit të mos bëjë interpretime të fakteve historike, por t’u qëndrojë strikt atyre.

“Të qëndrojë strikt në qasjen e institutit drejt studimit, duke shmangur interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike”, thuhet në pikë e shtuar.

Një tjetër ndryshim është edhe heqja e termit “Armik i popullit”.

“Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë me termin ‘Armik i popullit’ dhe qartësimin e rolit të organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë”, thuhej në një nga rekomandimet që Kuvendi i bënte Institutit.

Por tashmë kjo pikë që rekomandonte studimin e përçarjes së popullsisë është hequr, duke u lënë vetëm: “Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë”.

Një nga deputetët e vjetër të maxhorancës, Spartak Braho akuzoi Agron Tufën se e ka kthyer institutin në seksion të Ballit Kombëtar duke theksuar se do propozonte shkarkimin e tij.

“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë Luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes”, ka deklaruar Braho.

Nga ana tjetër Tufa e cilësoi këtë si një kërcënim që iu bë atij publikisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb