Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash një rezolutë që kërkon ndryshime në projekt-buxhetin afatgjatë të BE-së. Për këtë rezolutë janë pajtuar 27 vendet anëtare. Ligjvënësit evropianë përmes kësaj rezolute, kanë paralajmëruar se mund të mos e miratojnë buxhetin, duke bërë thirrje për negociata shtesë në mënyrë që ai të “përmirësohet”.

Mocioni kaloi me 465 vota për, dhe 150 kundër. Më 21 korrik udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord për një paketë të ndihmës ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të ndihmuar vendet në periudhën e pas pandemisë së koronavirusit. Marrëveshja u arrit në ditën e katërt të bisedimeve në Bruksel, të cilat u përcollën me mospajtime rreth shpërndarjes së fondeve. Por, Komisioni Evropian dhe shumë eurodeputetë u shqetësuan që shumë prej përparësive të tyre në buxhetin shumëvjeçar u shkurtuan dhe disa plane të shpenzimeve u zhvendosën.

“Ne mendojmë se ky buxhet nuk jep përgjigje të duhura për sfidat e shtatë viteve të ardhshme”, tha Manfred Ëeber, drejtuesi i bllokut parlamentar të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian. Më parë, Charles Michel – presidenti i Këshillit Evropian, i cili ndihmoi në sigurimin e marrëveshjes së kompromisit – u kishte kërkuar eurodeputetëve që ta mbështesin atë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb