Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit Jonila Godole, njëherësh anëtare e kryesisë së PD, ka reaguar ditën e sotme në Facebook lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, ku opozita pësoi  një humbje të thellë.

Ajo shprehet ndër të tjera se ata të cilët shfaqen “si kokulur para demokratëve, por dhe të tjerët që heshtin në lidership, në kryesi, grupin parlamentar dhe organet e tjera drejtuese”, mbajnë përgjegjësi direkte për rezultatin.

Sipas saj, kjo pasi kanë qenë ata që nuk e organizuan siç duhej partinë për zgjedhje, nuk respektuan vendimin për 61 kandidatë, më pas i bojkotuan kandidatët dhe strukturat në terren, dhe i shtynë dhjetëra mijëra demokratë e mbështetës të së djathtës të mos i votojnë.

Godole thotë më tej se sovrani foli, dhe se tashmë PD duhet të pranojë përgjegjësitë dhe partia të hapet për zgjedhje dhe garë.

Reagimi i plotë:

Ata që shfaqen sot si kokulur para demokratëve, por dhe të tjerët që heshtin në lidership, në kryesi, grupin parlamentar dhe organet e tjera drejtuese, mbajnë përgjegjësi direkte për rezultatin katastrofik të PD-së në zgjedhjet lokale, në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Sepse qenë ata që nuk e organizuan siç duhej partinë për zgjedhje, nuk respektuan vendimin për 61 kandidatë, më pas i bojkotuan kandidatët dhe strukturat në terren, dhe i shtynë dhjetra mijëra demokratë e mbështetës të së djathtës të mos i votojnë.

Sovrani foli.

Rezultati është i qartë.

PD duhet të tregojë që është ndryshe, që mban përgjegjësi për gabimet e saj, për pafuqinë dhe paaftësinë që tregoi për të qenë një alternativë serioze në qeverisjen lokale. Dhe kjo nuk arrihet duke mbyllur sytë e gojën para realitetit, por duke e hapur partinë për zgjedhje dhe garë, për një vizion të ri dhe një lidership që nuk bart me vete “skelete” në qilaret e pushtetit të korruptuar politik 32 vjeçar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: