Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, ka thënë se gjetjet e Pfizer për vaksinën kundër coronavirusit që është më shumë se 90% efektive ishin “të jashtëzakonshme”.
“Rezultatet janë me të vërtetë mjaft të mira, dua të them të jashtëzakonshme”, tha Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, sipas Washington Post, përcjell Telegrafi.
Kompania është ende në pritje të të dhënave mbi sigurinë, të cilat pret që të vihen në dispozicion deri në javën e tretë të nëntorit, sipas një njoftimi për shtyp, shkruan FoxNews.
Komentet e Faucit, vijnë vetëm dy ditë pasi ai i tha Shoqatës Mjekësore Amerikane (AMA) se sapo të miratohet një vaksinë – dhe sapo një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ta marrë atë – vendi mund të shohë një shfaqje të normalitetit në vitin tjetër.
Ndryshe, vaksina eksperimentale kundër coronavirusit është zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer në bashkëpunim me kompaninë e bioteknologjisë gjermane, BioNTech.
Të dyja palët deklaruan të hënën se vaksina e tyre tashmë ka rezultuar 90 për qind efektive.