TIRANË- Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka nxjerrë sot rezultatet e ndotjes nga karburantet që u derdhën dy ditë më parë në bregdetin e Durrësit dhe konkretisht në zonën Iliria në plazh.

Analizat e kryera pranë Laboratorit të AKM vlerësojnë se, mostrat e marra në 2 pika të ndryshme në vijën e ndotur bregdetare Durrës, rezultuan shumë të ndotura.

Produktet e naftës të cilat rezultojnë prezent në mostra janë tej normave të lejuara, duke konsideruar faktin se në ujërat banjatore nuk duhet të ketë prezencë të produkteve të naftës.

Nevoja kimike për oksigjen dhe Nevoja biokimike për oksigjen rezultojnë në vlera shumë të larta të cilat reflektojnë një ndotje shumë të lartë, të pasqyruara në 2 tabelat si më poshtë

“Nga vlerat gjykojmë se ndotja me hidrokarbure është shumë e lartë, çka për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, gjendja është alarmante. Për këtë arsye ndalohet kategorikisht kontakti me ujin apo larja në det e qytetarëve, deri në momentin e rehabilitimit të plotë mjedisor të zonës së prekur në plazhin e Durrësit në një gjatësi prej rreth 2.5 km”, thekson Drejtori  i Përgjithshëm i AKM, Z. Julian Beqiri.

AKM do të kryejë analiza të përsëritura dhe do të njoftojë qytetarët në kohë kur zona të konsiderohet jo e rrezikshme. “Deri në këtë njoftim ritheksojmë se qytetarët duhet të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të evitojnë çdo kontakt të mundshëm me zonën e prekur nga ndotja”, deklaroi AKM.

ndotja, tabele

POLICIA KUFITARE: NDOTJA JO NGA ANIJET E PESHKIMIT
Pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për bllokimin e anijeve të peshkimit, Policia Kufitare ka kryer hetime dhe përjashton sektorin e peshkimit si ndotës të detit me naftë.

Kreu i sindikatës së peshkimit Klodian Kapiti tha se anijet kanë dalë në det për peshkim me leje të policisë.
Prej tre ditësh anijet e peshkimit nuk lejoheshin të peshkonin pasi ndotjes masive me naftë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb