Vjosa Osmani duket se ka tejkaluar rekordin e Kurtit në 2019, duke marrë më shumë se 200 mijë vota.

Dikur Istogu ishte bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por në zgjedhjet e së dielës, Vjosa Osmani mori më shumë vota në këtë komunë se sa gjithë LDK-ja.

Këta të fundit morën 4 558 vota ndërsa UD Presidentja u votua 5 658 herë, duke lënë pas Ramush Haradinajn me 4766 vota e Avdullah Hotin me 3190 vota.

Mirëpo ky nuk është rasti i vetëm kur LDK doli keq në një ish-bastion të saj. Në Podujevë, Lidhja Demokratike e Kosovës mori në total 9 366 vota të rregullta, ndërsa kandidati i LVV-së, Fitim Haziri mori 10 431 vota i vetëm.

Ish kryetari i kësaj komune për disa mandate, Agim Veliu u votua vetëm 5 300 herë.

Në Mitrovicë më së shumti vota nga Lëvizja Vetëvendosje mori Armend Muja me 20 mijë vota i pasuar nga Faton Peci me 5 mijë vota më pak.

Ndërkohë në këtë qytet Bedri Hamza nga PDK mori 4 593 vota, duke lënë pas kandidatin për kryeministër Enver Hoxhaj.

Më shumë vota se i pari i partisë mori edhe Ardita Rrahmani e LDK-së në Kaçanik, me 759 vota ndërsa Avdullah Hoti 681 vota, e Lumir Abdixhiku me 283 vota.

Më i votuari në Gjilan është Alban Hyseni nga LVV me rreth 11 mijë vota, ndërsa nga PDK ishte Hoxhaj me 3856.

Hoxhaj doli i pari nga partia e tij edhe në Dragash, Ferizaj e në kryeqytet, derisa dy aderimet e fundit Avdullahu e Kastrati nuk morën më shumë se 1 100 vota në Prishtinë.

Në Deçan i pari radhitet Ramush Haradinaj nga AAK i pasuar nga Daut Haradinaj, ndërsa në Klinë i pari nga partia e tij ka dalë Avdullah Hoti, i pasuar nga Kujtim Shala.

Në Junik e Kaçanik më e votuara ishte Vjosa Osmani, duke lënë pas Glauk Konjufcën me rreth 2 mijë vota.

Ajo mori rreth 13 mijë vota edhe në qytetin e Vushtrrisë deri sa në media raportohet se Osmani ka tejkaluar edhe rekordin e Albin Kurtit në 2019, duke marrë më shumë se 200 mijë vota në total.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: