Ish-kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, vlerësoi procesin zgjedhor të deritanishëm, duke thënë se vijon normalisht dhe nuk ka asnjë incident, përveç problemeve që ka sjellë moti i keq, për shkak se jemi ende në dimër.

I ftuar në studion e News24, Kume tha se edhe në këto zgjedhje, ndonëse janë të pjesshme, qasja e partive politike nuk ka ndryshuar aspak nga zgjedhjet e mëparshme.

Duke u ndalur te votimi elektronik në Vorë, ish-kreu i KQZ vlerësoi këtë projekt pilot, duke iu bërë thirrje partive politike që në zgjedhjet e ardhshme ta përfshijnë atë në të gjithë vendin, pasi sipas tij, “do të eliminoheshin një varr me probleme”.

“Fillimi i procesit të votimit nuk ka prodhuar probleme, që të jenë objekt diskutimesh. Në këtë fazë të procesit zgjedhor janë plotësuar standardet. Duhet të kemi parasysh se jemi në dimër, zgjedhësit kanë probleme nga moti, ka dhe probleme me energjinë. Megjithatë, në përgjithësi procesi po ecën normalisht. Për mua, ajo që duhet shtuar krahas asaj që tha Celibashi, është mënyra si është administruar ky proces, që nga momenti i dekretit të Presidentit. Gjithçka është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, ku janë përfshirë të gjithë aktorët që kanë detyra në kuadër të një procesi zgjedhor, pavarësisht se është një proces i pjesshëm. Administrata zgjedhore e ka realizuar deri në këtë moment në përputhje dhe sipas ligjit detyrën. Partitë politike edhe kësaj radhe, si në të gjitha proceset e tjera zgjedhore, nuk kanë sjellë një qasje ndryshe”, u shpreh Kume.

Pyetje: Votimi elektronik në Vorë, si e keni parë procesin?
Votimi elektronik do të thotë realizimi i procesit të administrimit të votës nga zgjedhësi e deri te nxjerrja e rezultatit, ku administrata zgjedhore nuk ka fare punë. Prova e parë u realizua në zgjedhjet e kaluara për Kuvendin, në njësinë 10 të Tiranës, dhe rezultoi i suksesshëm, jo vetëm për produktin, por edhe për sjelljen. Ishte një vendimmarrje e mençur, që edhe në këtë proces të pjesshëm zgjedhor të vazhdojë të pilotohet kjo mënyrë të votuari. Masat e marra nga KQZ, provat e bëra, janë të gjitha në plotësim të asaj metodologjie të përdorimit të teknologjisë së informacionit në trajtën e një projekti pilot, që vazhdon të realizohet. Pres që këto procese pilote të shërbejnë si argumente për partitë politike, që ta shtrijnë këtë mënyrë të votuari në të gjithë vendin në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë do të kemi mundësi të eliminohen një ‘varr’ problemesh, me të cilat ndeshen votimet te ne, si dhe të parandalohen sjellje joligjore.

Ligji e ka të shprehur mirë se kush mund të jetë administratori i një procesi zgjedhor. Nuk kishte pse PD të propozonte një banor jo të zonës, të Vorës, nuk lejohet një gjë e tillë. Nuk ka askush pse ta diskutojë dot, sepse është shprehur KAS, që në kushtet e mungesës së vakancës, pasi subjekti nuk i përgjigjet detyrimit për të sjellë zëvendësuesin, ligji i jep të drejtë KZAZ të vërë në dispozicion listën e qytetarëve që janë trajnuar nga KQZ. Për mua nuk ka problem.

Pyetje: A mundet të shpallet rezultati në Vorë në orën e parë?
Rezultati në Vorë del për 5-10 minuta pasi mbyllet votimi. Nuk numërohet asgjë, sa votohet, kompjuteri nxjerr rezultatet. Menjëherë sapo mbaron procesi, jepet komanda dhe kompjuteri të jep rezultatin.

Pyetje: Tensionet politike…
Nëse kandidatët bëjnë thirrje sot “më votoni mua, apo kandidatin e partisë sime”, kjo është shkelje e ligjit. Për mua procesi deri tani është zhvilluar normalisht, me problematika të vogla, që janë ndeshur dhe në proceset e tjera. Nuk ka ngjarje apo fenomene të na bëjnë të themi se procesi zgjedhor nuk filloi mbarë. Problemet, me të cilat jemi ndeshur sot, kanë ardhur nga partitë politike, jo nga administrata zgjedhore, dhe kjo gjë pritej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb