Patinatorja 15-vjeçare ruse Kamila Valieva u lejua sot të konkurrojë në garën e patinazhit artistik për femra në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, pavarësisht se kishte testuar pozitive për substanca të ndaluara para fillimit të Lojërave. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar thotë se nuk do të japë medalje për ngjarjet e Valievës në Pekin, sepse çështja e saj e dopingut ende nuk është qartësuar plotësisht.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv publikoi sot vendimin e saj se 15-vjeçarja Valieva, favoritja kryesore për medaljen e artë në garat individuale për femra, nuk ka nevojë të pezullohet përkohësisht, përpara një hetimi të plotë.

Gjykata i dha asaj një vendim të favorshëm pjesërisht sepse është e mitur apo “person i mbrojtur” dhe i nënshtrohet rregullave të ndryshme nga një atlete e rritur.

Paneli mori në konsideratë parimet themelore të drejtësisë, dëmin e pariparueshëm si dhe faktin që ajo nuk rezultoi pozitive gjatë Lojërave Olimpike në Pekin. Por ajo ende mund t’i nënshtrohet një procedure disiplinore për shkak të testimit pozitiv në dhjetor 2021. Në veçanti, paneli mori në konsideratë faktin se ndalimi i atletes për të konkurruar në Lojërat Olimpike do t’i shkaktonte asaj dëm të pariparueshëm në këto rrethana”, tha Matthieu Reeb, Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

Paneli i Gjykatës përmendi gjithashtu si çështje themelore të drejtësisë në vendimin e tij, faktin që ajo kaloi testin në Pekin dhe “problemet serioze me njoftimin e vonuar” për rezultatet e testit të saj pozitiv në dhjetor.

Kamila Valieva rezultoi pozitive për një ilaç për zemrën gjatë analizave të kryera më 25 dhjetor në Rusi, gjatë garave për kampionatin rus, por rezultati i analizave të saj nuk u bë publik deri një javë më parë, pasi ekipi i Komitetit Olimpik Rus, pjesë e së cilit ishte edhe ao, fitoi medaljen e artë në Pekin.

Valieva dhe koleget e saj patinatore rusë mund të synojnë të marrin të tri medaljet e garave individuale të patinazhit artistik për femra, në konkurimin që fillon nesër dhe mbyllet të enjten, duke shënuar kështu një moment historik në lojërat olimpike.

Komiteti Olimpik Rus postoi në Twitter lajmin për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit dhe tha se do të brohoriste për Valievan” dhe të gjithë patinatoret tona të mrekullueshme në garat individuale”.

Kremlini, nga ana tjetër, shprehu kënaqësinë e tij për lejimin në garë. “Si të gjithë – tha zëdhënësi, Dmitry Peskov – ne jemi të lumtur që Kamila do të jetë në gjendje të vazhdojë pjesëmarrjen e saj në garë”. I gjithë vendi, shtoi ai, i uron fitoren e saj dhe Kremlini i uron fitoren çdo sportisti rus, sepse “kjo është ëndrra e secilit prej tyre dhe çdo atlet punon për ta realizuar këtë ëndërr”.

Valieva realizoi kërcimin e parë me katër rrotullime në ajër të realizuar ndonjëherë nga një patinatore në Lojërat Olimpike në garën ekipore të së hënës së kaluar. Shtetet e Bashkuara morën medaljen e argjendtë dhe Japonia të bronzit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb