Janë riatdhesuar këtë të hënë nga Gjermania 19 qytetarë shqiptarë, të cilët kishin thyer rregullat e lëvizjes në BE, apo kishin kërkuar azil të parregullt në këtë vend.

Duke iu bërë thirrje shqiptarëve të mos abuzojnë me rregullat, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, paralajmëroi masa të reja kundër azilkërkimit dhe kundër abuzimit me lirinë e lëvizjes.

Njoftimi i plotë:

Me një fluturim të posaçëm janë riatdhesuar nga Gjermania 19 shtetas që kishin thyer rregullat e lëvizjes në BE, apo kishin kërkuar azil të parregullt në këtë vend. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda deklaroi se do të merren masa të reja kundër azilkërkimit dhe kundër abuzimit me lirinë e lëvizjes. Kjo për të parandaluar, frenuar e luftuar fenomenin e azilkërkimit abuziv.

Prononcimi për media i zv.ministres Voda:

19 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar sot nga Gjermania në Aeroportin e Rinasit, për shkak të shkeljeve të rregullave të lëvizjes në hapësirën Shengen. Të tjera riatdhesime dhe të tjerë qytetarë shqiptarë do të riatdhesohen këto ditë po në aeroportin e Rinasit nga Franca dhe nga Britania e Madhe. Janë shtetas, të cilët kanë abuzuar me ditët e qëndrimit në vendet e hapësirës ‘Schengen’, kanë abuzuar me fenomenin e kërkimit të pabazë të azilkërkimit, por edhe për kryerjen e veprave penale.

Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare gjatë të gjithë kësaj kohe ka punuar fort për të ndërgjegjësuar dhe për t’i bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën ‘Schengen’, pra në të gjitha vendet e BE-së. Vetëm kështu ata do të mund të kenë shansin të lëvizin lirisht dhe pa asnjë problem në këtë hapësirë, por njëkohësisht Shqipëria do të vazhdojë të marrë nota pozitive nga Komisioni Europian për respektimin e standardit të lëvizjes së lirë.

Në kuadër të masave që ne kemi marrë për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit po punojmë fort, jo vetëm me forcimin e kontrollit kufitar, por edhe pse në kohë të vështira pandemie, po mundohemi të gjejmë forma për ndërgjegjësimin e qytetarëve duke punuar me projekte të ndryshme për t’i thënë qytetarëve shqiptarë stop migracionit të paligjshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb