Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, KASH me anë të një njoftimi përshëndet rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

KASH shprehet se uron që rifillimi i dialogut të çojë në arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, që do të normalizonte marrëdhëniet në rajon.

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë Mbi rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi     

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) vëren me kënaqësi se kohët e fundit janë intensifikuar ndjeshëm nismat dhe veprimet politiko-diplomatike për përshpejtimin e fillimit të dialogut dhe arritjen  e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

KASH e çmon si inkurajues faktin që partnerët kryesorë të këtij procesi, BE dhe SHBA-të e kanë përgënjeshtruar mundësinë e  çdo ndryshimi territorial apo të kufijve në mes të dy shteteve, në çfarëdo forme, në kuadrin e Marrëveshjes së ardhëshme. Rikujtojmë më këtë rast Letrën tonë të datës 5 Mars për Presidentin Trump ku, ndër të tjera, nënvizonim se “çdo qasje alternative për mundësinë e rishikimit të territoreve mbi bazën e parimeve etnike mund të minonin stabilitetin në Kosovë dhe në shtete e tjera multietnike”

KASH përshëndet institucionet dhe forcat  politike në Kosovë, për vullnetin dhe gatishmërinë  që po tregojnë për përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Në këtë vazhdë, KASH thekson fuqimisht se tani është momenti që të lihen mënjanë mëritë dhe grindjet politike në Kosovë dhe në tërë hapësirën shqiptare në Ballkan.

KASH bënë thirrje që, në vend të protagonizmit politik dhe ndasive artificiale partiake, të kërkohet më shumë se kurrë konsensus dhe unifikimi i pozicioneve politike, me qëllim që Republika e Kosovës të përfaqësohet sa më denjësisht, si në aspektin politik e ashtu dhe atë profesional, në këtë dialog historik.

KASH përshëndet ngrohtësisht Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nismat më të fundit, lidhur  me përshpejtimin e këtij procesi.

Në këtë kuadër,  KASH vlerëson rëndësinë e angazhimit dhe rolit drejtues të  Kancelares gjermane  Merkel dhe Presidentit francez  Macron, ky i fundit dhe si mikpritës i  Samitit te posaçëm në Paris më 17 Korrik.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret dhe përshëndet  zhvillimin  më 27 Qershor, në Shtëpinë e Bardhë, të Takimit të posaçëm, me pjesëmarrjen e  udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë,  nën kujdesin e Presidentit Trump dhe të Dërguarit të tij të Posaçëm, Richard Grenell.

Ne shprehim besimin se ky takim, do t’i japë një impuls dhe shtysë të re dhe cilësore dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë – Serbi, duke filluar nga fusha ekonomike, në vijim të dokumentave  të nënshkruara në shkurt të këtij viti mbi transportin ajror dhe hekurudhor.

Me këtë rast, KASH e sheh të nevojshme të ritheksojë se suksesi i mëtejshëm dhe i qëndrueshëm i këtij dialogu historik dhe sfidues e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet SHBA-ve me BE-në. Betejat e përbashkëta për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe  arritjet e tjera madhore të Kosovës dhe të Ballkanit Perendimor në përgjithësi,  në 20 vitet e fundit, janë dëshmitë më  të mira të përparësive të këtij bashkëpunimi strategjik të aleatëve Euro-Atlantik. Për më tepër, Kosova, Serbia, sikundër edhe i gjithë Ballkani Perendimor, ndajnë  objektivat e përbashkëta strategjike dhe veçanërisht të  liberalizimit të vizave dhe hyrjes në BE, antarësimit  në NATO dhe në përgjithësi, integrimi në ombrellën Euro-Atlantike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, beson fuqimisht se takimi i Ëashingtonit, më 27 Qershor, si  dhe ai në Paris, më 17 Korrik, janë dy anë të të njëjtës medalje dhe do të shënojnë intensifikimin e një bashkëpunimi dhe më efikas e të frytshëm SHBA – BE, deri në realizimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë të integritetit dhe sovranitetit të secilit vend.

Së fundi, falë ekspertizës, kapaciteteve dhe pranisë të ambasadorëve të nderuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që kanë shërbyer në Kosovë, Beograd, Londër, Bruksel, Ëashington, Paris, Berlin, Romë, Strasburg dhe gjetkë, KASH është i gatshëm të japë ndihmesën e vet, në përshpejtimin dhe përfundimin e këtij procesi me rëndësi dhe rrjedhoja madhore për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë e Serbi, por në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb