Nga: MIRA BREGU OKB- Gjenevë

Bisedimet e Qipros pas takimeve të shumta gjatë vitit të kaluar nën kujdesin e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, do të vazhdojnë përsëri në Pallatin e Kombeve në Gjenevë, gjatë datave 9 dhe 11 janar 2017.

Diskutimet do të zhvillohen me pjesëmarrjen e udhëheqësit qipriot turk, Mustafa Akýncý, udhëheqësit qipriot grek Nikos Anastasiades dhe delegacionet e tyre, nën patronazhin e Këshilltarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide.

Nderkohë më 6 janar, Sekretari i ri i Përgjithshëm Z. Antonio Guterres kur u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Z. Nikos Kotzias, u përqendrua në çështjen e Qipros.

Sekretari i Përgjithshëm shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në bisedimet e Qipros dhe angazhimin për një zgjidhje tërësore të çështjes. “ Do të jetë një moment historik për Qipron paraqitja në Konferencën pas bisedimeve më 12 janar në Gjenevë.“ Ai përgëzoi përparimin e paparë të bërë nga drejtuesit e komuniteteve greke qipriote e turke qipriote dhe i bëri thirrje të gjitha palëve që të përdorin mundësitë për të gjetur zgjidhje kreative dhe të pranueshme për të dy komunitetet.

Duke i uruar një zhvillim të mbarë këtyre bisedimeve historike për Qipron në këtë fillim viti,po sjell për lexuesit edhe një biografi të shkurtër për Liderin e ri të Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres.

***
António Guterres, Sekretari i nëntë i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, filloi detyrën më 1 janar 2017.

Si një dëshmuar i vuajtjeve të njerëzve më në nevojë në tokë, në kampet e refugjatëve dhe në zonat e luftës, Sekretari i Përgjithshëm ka vendosur të bëjë thelbin e punës së tij dinjitetin njerëzor , si dhe të shërbej në ndërtimin e urave të paqes dhe të promovoj reformat e zhvillimit..

Para emërimit të tij si Sekretari i Përgjithshëm, zoti Guterres ishte Komisioner i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë nga qershori 2005 deri në dhjetor 2015.

Mandati I tij në krye të një prej organizatave më të mëdha në botën humanitare u shoqëru nga valët e krizave më të rënda të zhvendosjes në dekada. Konfliktet në Siri dhe Irak, si dhe krizat në Sudanin Jugor, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Jemen, çuan në një rritje të madhe të aktivitetit të UNHCR-së, ndërsa numri i njerëzve të zhvendosur nga konflikti dhe persekutimi u rrit nga 38 milion në vitin 2005 në mbi 60 milionë në vitin 2015.

Përpara se t’i bashkohet UNHCR-së, zoti Guterres për më shumë se 20 vjet ka qenë pjesë e shërbimit publik dhe në shërbim të qeverisë. Ai shërbeu si kryeministër i Portugalisë nga viti 1995 deri në vitin 2002, ku gjatë kësaj kohë ai përfshi shumë në përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Timorin Lindor.

Si president i Këshillit Evropian në fillim të vitit 2000, ai udhëhoqi procesin e miratimit të Agjendës së Lisbonës për rritjen e vende të punës dhe bashkë-kryesoi samitin e parë të BE-së Jugut . Ai ishte anëtar i Këshillit të Shtetit portugez nga viti 1991 deri në vitin 2002.

Z. Guterres u zgjodh në Parlamentin portugez në vitin 1976, ku ai shërbeu si anëtar për 17 vjet. Gjatë kësaj kohe, ai kryesoi Komisionin Parlamentar për Planifikimin Ekonomik dhe Financë, më vonë Komisionin Parlamentar për Administratën Territoriale të Komunave dhe Mjedisit. Ai ishte gjithashtu kreu i grupit parlamentar të partisë së tij.

Nga viti 1981 në vitin 1983, zoti Guterres ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ai kryesoi Komisionin për Migracionin, Refugjatët dhe Demografinë.

Për shumë vite, zoti Guterres ka qenë një anëtar aktiv i Internacionales Socialiste, një aleancë globale e partive social-demokratike politike. Ai ishte zëvendëspresident prej vitit 1992 deri më 1999, kohë në të cilën ai bashkë-kryesoi Komitetin e Jugut dhe më vonë, Komitetin për Zhvillim. Nga viti 1999 deri në mes të vitit 2005, ai kryesoi Internacionalen Socialiste. Ai gjithashtu themeloi Këshillin e Refugjatëve portugeze, si dhe Shoqatën portugeze Konsumatorët Deco, dhe shërbeu si president i Centro de Acção Universitario Social, një shoqatë që kryen projekte të zhvillimit social në lagjet e varfra të Lisbonës, në fillim të viteve 1970.

Z. Guterres ishte anëtar i Klubit të Madridit, një aleancë e ish krerëve demokratike të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota.

Z. Guterres ka lindur në Lisbonë në vitin 1949 dhe u diplomua nga Instituto Superior Tecnico me një diplomë në inxhinieri. Ai flet rrjedhshëm portugalisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht. Ai është i martuar me Catarina de Almeida Vaz Pinto, nënkryetare për Kulturën e Lisbonës, dhe ka dy fëmijë, një dhëndër dhe tre nipër e mbesa.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: