TIRANE- Ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, ekspert i ekonomisë, thotë se politikëbërësit nuk kanë krijuar mbrojtjen e nevojshme buxhetore për rreziqet të cilat kanë filluar të japin ndikimin e tyre ende pa filluar vitin 2018. Në këto rrethana, ulja e rritjes ekonomike e vlerësuar nga FMN-ja mund të jetë edhe më e madhe.

Shqipëria ka strategji zhvillimi në letër, por nuk ka model ekonomik. Paqëndrueshmëria e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, pesha e ulët specifike e industrisë prodhuese dhe produktiviteti i ulët i ekonomisë në tërësi, tregojnë se Shqipëria nuk po ndjek modelin e duhur ekonomik, shprehet Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert i ekonomisë.

Shehu thotë se, rritja e ekonomisë shqiptare në vitin 2017 teorikisht është e lartë, por praktikisht ajo nuk ka prodhuar mirëqenie. E njëjta situatë, sipas tij, pritet të vijojë edhe për vitin 2018.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin që lamë pas?
Rritja e ekonomisë shqiptare në vitin 2017 teorikisht është e lartë por praktikisht ajo nuk ka prodhuar as punësim dhe as mirëqenie. Nga ana tjetër, kjo rritje e lartë ekonomike është nën kapacitetet reale të ekonomisë shqiptare dhe, më e keqja, është se ajo bazohet në dy projekte të mëdha energjetike, hidrocentralet e lumit Devoll dhe Trans Adriatik Pipeline (TAP). Meqenëse kjo rritje nuk është rezultat i ristrukturimit të ekonomisë dhe rritjes së prodhimit industrial, jo vetëm që nuk prodhon mirëqenie, por edhe nuk do të jetë e qëndrueshme në vitet e ardhshme.

Përveç politikave të gabuara qeveritare, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e krizës financiare botërore. Përmirësimi i treguesve të kreditimit nuk ka ardhur nga rritja e kreditimit të ekonomisë dhe performancës së saj, por nga ristrukturimi i kredive të këqija. Kështu, ekonomisë vazhdojnë t’i mungojnë investimet private të qëndrueshme, të cilat përbëjnë burimin dhe garancinë kryesore për një rritje ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen. Edhe investimet publike nuk kanë pasur ndikimin të rëndësishëm dhe nuk garantojnë qëndrueshmëri për të ardhmen. Edhe gjatë këtij viti, investimet publike nuk janë realizuar ritmikisht dhe cilësia e tyre vazhdon që të jetë e ulët. Rreth 50% e tyre kryhen për rikonstruksione dhe pajisje zyrash, si dhe për blerje mallrash dhe shërbimesh nga tregu i huaj.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2018 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe zhvillimet në tregjet e huaja në rritjen ekonomike të vendit?
Rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2018 konsiderohet e lartë, por kontributi i saj në punësim dhe mirëqenie pritet të jetë më i ulët se në vitin 2017. Tashmë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që rritja ekonomike në vitin 2018 do të jetë më e ulët se ajo e vitit 2017. Nga rreth 4% që pritet të jetë këtë vit, në vitin 2018 parashikohet që të bjerë në 3,7% dhe sipas FMN-së kjo vjen kryesisht nga rënia “…e investimeve nga projektet e mëdha të lidhura me energjetikën”.

Në analizën e saj, FMN vlerëson se do të ketë rritje të besimit “…pas zgjidhjes së paqartësisë politike…” dhe “… një rimëkëmbje më të fortë të kredisë”. Por, zhvillimet e fundit tregojnë se paqartësia politike është rritur dhe rritja e kredisë private është e dobët dhe e bazuar kryesisht në kredinë konsumatore. Edhe kuadri ligjor dhe menaxhimi i sistemit të kredive të këqija mbetet i dobët dhe pengon rritjen e kreditimit në kompanitë me ndikim të madh në ekonominë shqiptare.

Tregjet e huaja pritet të kenë ndikim pozitiv mbi ekonominë. Ekonomitë e rajonit dhe të Eurozonës do të vazhdojnë të rriten dhe, po kështu, edhe shkëmbimet e ekonomisë shqiptare me to. Megjithatë do të ketë një rritje të deficitit të llogarisë korente, i cili do të ndikojë në uljen e kërkesës së brendshme. Politikat fiskale të miratuara pritet që të krijojnë gropa në sistemin fiskal dhe të rrisin presionin për evazion dhe shmangie fiskale. Kështu rendimenti i ulët fiskal (të ardhurat tatimore në raport me PBB-në) i Shqipërisë (më i ulëti në rajon) do të rrezikohet më tej nga favoret tatimore klienteliste të cilat përbëjnë një pengesë tjetër për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Edhe investimet publike do të kenë ndikim të dobët në rritjen ekonomike të vitit 2018 dhe në qëndrueshmërinë e saj në vitet e ardhshme. Buxheti i vitit 2018 mbart rreziqe të mëdha për shkak të fatkeqësive natyrore të pambuluara me fonde rezervë dhe kontingjence në buxhet, si dhe të fiktiviteteve në treguesit e investimeve publike dhe të deficitit buxhetor. Treguesi i investimeve publike është rritur artificialisht me 24 miliardë lekë, përkatësisht 12 miliardë, që supozohet se nuk do të shpenzohen dhe do të transferohen nga viti 2017 dhe 12 miliardë të tjera të shtuara qëllimisht në investime publike që në fakt përfaqësojnë projekte të asistencës teknike dhe garanci për projekte që zbatohen nga sektori privat. Ndërsa emetimi i Eurobond-it që po përgatit Qeveria do të shtohet në nivelin e miratuar të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes së miratuar për vitin 2018. Kështu investimet publike në terma realë do të bien dhe kontributi i tyre në rritjen ekonomike do të jetë i dobët. Dëmet nga fuqitë natyrore do të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike. Ndërsa presionet e fshehura fiskale nga mospërfshirja në treguesit e borxhit të Eurobond-it dhe të detyrimeve kontingjente të krijuara nga kontratat koncesionare dhe projekti “1 Miliardësh” do të rrezikojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë?
Rreziqet e përshkruara më sipër përbëjnë sfidat kryesore të ekonomisë për vitin 2018. Qytetarët morën një goditje me dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit dhe efektet negative të tyre do të ndihen në vitin 2018. Politikëbërësit nuk kanë krijuar mbrojtjen e nevojshme buxhetore për rreziqet të cilat kanë filluar të japin ndikimin e tyre ende pa filluar vitin 2018. Në këto rrethana, ulja e rritjes ekonomike e vlerësuar nga FMN-ja mund të jetë edhe më e madhe.

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike në mënyrë që prosperiteti të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm për të gjithë?
Politikat ekonomike duhet që të jenë të fokusuara në përdorimin e burimeve natyrore dhe rritjen e vlerës së shtuar brenda vendit. Ato duhet të jenë të miratuara me konsensus të gjerë në një program ekonomik për perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë dhe performanca e secilës Qeveri duhet të matet me progresin në zbatimin e tyre. Sektori energjetik duhet të konsiderohet sektori strategjik prioritar dhe të marrë mbështetje të gjithanshme me politika çmimesh favorizuese dhe financime me garanci implicite. Ndër sektorët e tjerë duhen konsideruar prioritarë mbështetja e zhvillimit të integruar të bujqësisë dhe e turizmit. Politikat mbështetëse duhet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Hartimi i këtyre politikave duhet të realizohet nga struktura jopartizane, të cilat duhet të kenë edhe fuqi monitoruese dhe korrigjuese në procesin e zbatimit të tyre.

A po ndjek Shqipëria modelin e duhur ekonomik dhe a përbën rrezik riorientimi i likuiditeteve drejt sektorit të ndërtimit, sidomos në banesa?
Shqipëria ka strategji zhvillimi në letër por nuk ka model ekonomik. Paqëndrueshmëria e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, pesha e ulët specifike e industrisë prodhuese dhe produktiviteti i ulët i ekonomisë në tërësi tregojnë se Shqipëria nuk po ndjek modelin e duhur ekonomik. Ndërsa rigjallërimi i sektorit të ndërtimit të banesave përbën një rrezik aktual dhe perspektivë të rritjes ekonomike. Rritja e kredisë konsumatore në vitin 2017 paralajmëron një rrezik për vitet e ardhshme sepse rritja ekonomike dhe e të ardhurave për frymë pritet të jenë të moderuara. Nga ana tjetër, ajo dëshmon për zbatimin e politikave korruptive, me efekte afatshkurtra, të bazuara në motive dhe përfitime politike dhe që akumulojnë rreziqe, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb