Çështja ndaj ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri rikthehet sërish në pikën zero, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi sot që aktet t’i shkojnë sërish Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë.

 

Në Shtator të vitit të shkuar, Gjykata e dënoi zotin Tahiri me 3 vjet shërbim prove, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria nga ana e saj kishte kërkuar një dënim me 12 vjet burgim, për tre akuza: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal, dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal, duke pretenduar për lidhje të tij më të ashtuquajturin grupi i Habiljave i akuzuar për trafik marijuhane nga Shqipëria drejt Italisë. Me vëllezërit Habilja, Tahiri rezulton të ketë lidhje familjare.

 

Tahiri dënohet me 3 vjet shërbim prove

Për Apelin, Gjykata e Shkallës së parë kishte gabuar duke ndryshuar akuzat. “Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të kodit të procedurës penale se në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që atribuohet nga prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe për më tepër nuk u është atribuuar”, shkruhet në vendimin e sotëm.

 

Apelit i ishte drejtuar si Prokuroria, e cila i qëndroi pozicionit të saj të parë, por dhe vetë zoti Tahiri, sipas të cilit, Prokuroria e Catania-s në Itali e cila kishte hetuar vëllezërit Habilaj e kishte nxjerrë atë të papërfshirë në aktivitetin e tyre kriminal e për pasojë nuk mund të gjykohej dy herë për të njejtën çështje. “”Ky kolegj vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i tij. Ky kolegj i çmoi se vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t’u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të kushtetutës së Shqipërisë”, vlerësoi Gjykata e Apelit.

 

Pas vendimit të sotëm ish ministri i Brendshëm këmbënguli në pafajësinë e tij, duke folur për “Një padrejtësi.Unë kurrë nuk kam bërë faj. Prokuroria më akuzoi dhe e kam ndjekur këtë proces me korrektesën më maksimale, duke hequr dorë dhe nga funksioni i deputetit e duke u përballur si qytetar”, deklaroi ai duke theksuar se do t’i shkojë deri në fund procesit.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb