Emblematiku “Grand Bazar” (pazari i madh – shën. i përkth.) i Stambollit, i mbyllur që prej 23 marsit, u rihap dje, ndërkohë që Turqia ka filluar lehtësimin e pjesës më të madhe të masave kufizuese të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Bazar, që numëron rreth 3 000 dyqane dhe 30 000 tregtarë ka regjistruar gjithashtu mbylljen më të gjatë që prej gjashtë shekujve ekzistencë, përveç katastrofave natyrore dhe zjarreve.

Çdo të mërkurë në javët para kësaj rihapjeje, punonjësit e pastrimit kanë spërkatur dyshemetë, kolonat dhe muret e tregut me dezinfektues për të përmbushur rregullat e higjienës të vendosura nga autoritetet.

Rihapja e tregut të mbuluar është bërë në kuadër të rregullave strikte të hartuara nga Ministria e Shëndetësisë. Mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme dhe një numër i kufizuar i klientëve do të pranohet në dyqane.

Ky treg i mbuluar, një prej më të mëdhenjve në botë, priste para mbylljes rreth 150 000 persona në ditë, kryesisht turistë.

Rihapja e Grand Bazar ndodhi në kuadër të lehtësimit të masave kufizuese, të vendosura në Turqi për të luftuar kundër koronavirusit të ri, që ka shkaktuar më shumë se 4 500 të vdekur nga COVID-19 dhe rreth 164 000 raste zyrtarisht të regjistruara në vend.

Gjithashtu, bibliotekat, restorantet dhe çerdhet do të hapen nga sot dhe lëvizjet mes qyteteve kryesore të vendit, ndaluar që prej dy muajsh, do të autorizohen.

Turqia kishte filluar tashmë me lehtësimin e masave kufizuese javën ekalaur me rihapjen e qendrave tregtare dhe salloneve të bukurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb