Nga Vjollca Kongjoni

Brenda muajit shtator do të rihapet tenderi për ndërtimin e dy nyjeve strategjike të koridorit të Jugut. Bëhet fjalë për By Passin e Fierit dhe atë të Vlorës, punimet e të cilëve kanë mbetur në mëshirë të fatit prej shumë vitesh, duke u kthyer në makthin e udhëtarëve. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në mesin e muajit gusht.

Ndryshe nga sa ishte përcaktuar më parë se procedurat e prokurimit do të shtyheshin për vitin e ardhshëm, sipas BERZH, që është edhe financuesja e projekteve origjinale të investimit, ritenderimi i kontratave pritet të hapet brenda tremujorit të tretë të 2017-ës. Për të financuar ndërtimin e këtyre dy segmenteve qeveria shqiptare nuk do të kërkoj fonde shtesë por do të përdorë 48.8 milionë eurot, pjesë e mbetur e kredisë 60 milionëshe të BERZH, Bankës Europiane të Investimeve dhe Komisionit te Delegacionit Europian. Projektet e propozuara për kompanitë që do të ofrohen kanë një kosto totale prej 100 milionë eurosh duke përfshirë edhe taksat.

Projekti për By pass-in e Fierit përfshin punimet për ndërtimin e 22 kilometrave rrugë që lidhin segmentin Mbrostar – Fier e Levan -Vlorë. Ndërsa për By Pass-in e Vlorës segmenti prej 29 kilometrash do të lidhë fundin e autostradës Fier-Vlorë, duke kaluar nga fshatrat Babicë dhe Kaninë përgjatë vijës së bregdetit, e më tej do të lidhet me rrugën ekzistuese Orikum-Sarandë. BERZH deklaron se kontratat e reja do t’i nënshtrohen politikave dhe rregullave të prokurimit të këtij institucioni financiar dhe do të jenë të hapura për çdo kompani vendase dhe të huaja. Rihapja e tenderit bëhet pas ndërprerjes së kontratës që Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me kompaninë italiane “Serenissima”, e cila kishte marrë përsipër të përfundonte by passet e Fierit dhe të Vlorës brenda vitit 2016-të.

Por kjo firmë fituese e tenderit të mëparshëm jo vetëm që nuk arriti t’i ndërtonte sipas kontratës por bllokoi punimet për një kohë të gjatë duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve drejt Jugut. Situata është përkeqësuar më tej me shtimin e fluksit të automjeteve gjatë gjithë këtij sezoni veror, ku trafiku nga Mbrostari e deri në Levan ka qenë i pashmangshëm. Pas mashtrimeve me veprat publike shqiptare, firma italiane “Serenissima” ka krijuar dhe një listë të gjatë borxhesh me kompanitë nënkontraktore dhe doganat.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb