TIRANE- Dy muaj pas ekstradimit nga Lipjani , Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rihapur sot  çështjen për 35-vjcarin Ahmet Ajeti, i cili në vitin 2005 tentoi të vrasë Lulzim Berishën, i konsideruar si truri i “Bandës së Durrësit”.

Si tentoi Ahmet Ajeti të vrasë Lulzim Berishën:

Ahmet Ajeti u pagua plot 80 mijë euro që të zhdukte Lul Berishën bashkë me një person tjetër, por një sherr banal dhe një vetëplagosje mbrëmjen e 30 gushtit 2005 bënë që atentati të dështonte.

Referuar dosjes rezulton se në datën 28. 08. 2005, të gjykuarit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, për realizimin e qëllimit të tyre kriminal, për vrasjen e Lulëzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur, midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje, me dy shtetas kosovar, me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti. Rezulton se, këta persona, janë takuar në Tiranë dhe u janë treguar të dhëna për të gjykuarin Lulëzim Berisha dhe lëvizjet e tij dhe ata marrin përsipër që ta qëllojnë të gjykuarin Lulëzim Berisha, me armë zjarri, të llojit pistoletë.

Më pas të Korpuzi dhe Ajeti, të shoqëruar nga Sardian Sulejmani, janë dërguar në qytetin e Durrësit dhe janë sistemuar në hotelin e Asto Hanxhari. Rezulton se, pas sistemimit të tyre në këtë hotel, të gjykuarve Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u janë dhënë dy armë zjarri, tip pistoleta, me silenciator, njëra tip “Zastava” dhe tjetra tip “Uzi”, amerikan. Provohet, gjithashtu se, të gjykuarve Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u është dhënë edhe një fotografi e të pandehurit Lulëzim Berisha.

Në datën 30. 08. 2005, rreth mesditës, të gjykuarit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të armatosur, janë nisur në drejtim të lokalit, ku, qëndronte zakonisht i gjykuari Lulëzim Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Së bashku me ta, ka qenë edhe Sardian Sulejmani, i cili kishte për detyrë, të kujdesej për ta, derisa, të realizonin vrasjen e Lulëzim Berishës.

Por, në afërsi të lokalit të shtetasit Lulëzim Berisha, në rrethana jo shumë të qarta, Ahmet Ajeti, ka mbetur i plagosur. Rezulton se ai, ka qenë paksa, më i veçuar nga dy të tjerët dhe se, në një bar-bufe, ka bërë një sherr banal, është grindur dhe në përpjekje për të nxjerrë armën, e ka shkrepur, pa dashje atë, duke plagosur veten. Ai ka qëlluar edhe një herë në ajër.

Në ndihmë të tij, kanë shkuar Osman Korpuzi e Sardjan Sulejmani, të cilët, i kanë marrë pistoletën. Në vijim Sardjan Sulejmani, i ka marrë Osman Korpuzit, dy armët e zjarrit, pistoleta dhe është larguar, ndërsa i gjykuarit Osman Korpuzi, ka njoftuar policët e qarkullimit rrugorë, që po kalonin, rastësisht, në rrugë, me qëllim që t’i vinin në ndihmë shokut të tij Ahmet Ajeti, që vazhdonte të ishte i plagosur në hyrjen e një pallati.

Ahmet Ajeti, është shoqëruar për në spitalin rajonal Durrës dhe nga pyetja e tij, si dhe e Osman Korpuzit, nga ana e policisë gjyqësore, e cila, filloi menjëherë veprimet hetimore për ngjarjen, prej këtyre shtetasve, nuk është treguar qëllimi i vërtetë i ardhjen së tyre nga Kosova, duke u justifikuar me arsyen e pushimeve, në plazhin e Durrësit. Ndaj këtyre shtetasve kosovar, është ushtruar kontroll fizik, nga ana e policisë gjyqësore, prej nga ka rezultuar se, në portofol, i është gjendur një fotografi e të gjykuarit Lulëzim Berisha e mbështjellë, e cila, së bashku me celularin, i janë sekuestruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb