TIRANË

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është vënë në lëvizje nga avokatura e shtetit për çështjen e 21 janarit.

Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24 gazetarja Klodiana Lala, teksa sot prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.

Lala ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur që nga kallëzimi i policisë më 20 janar të këtij viti.

“Zyrtarisht policia e Tiranës i është dërguar prokurorisë me një shkresë më 21 janar.
Nga 4 vrasjet, 2 prej të cilave mbetën pa autorë. Nga hetimi i mëparshëm i gjykatave shqiptare rezulton të jetë zbardhur sipas tyre dhe provuar fajësia për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, ndërkohë që u akuzua ish-kreu i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo dhe për vrasjen e Hekuran Dedës, por gjatë gjykimit gjykata arsyetoi në finale që nuk provohej të ishte kryer nga ata të dy. Në rastin e Hekuran Dedës duke qenë se plumbi më përpara kishte plagosur një nga personat që gjendej pranë tij në një platformë televizionesh, atëherë nuk u përcaktua nëse ishte i njëjti plumb i qitur nga arma e pjesëtarëve të gardës që i kishte shkaktuar vdekjen Hekuran Dedës.
Duke qenë se dosja e Aleks Nikës ishte veçuar, pra po hetohej për sa kohë ai kishte ndërruar jetë më vonë në një spital në Turqi, predha ishte dëmtuar dhe ishte çuar për ekspertim në një laborator të specializuar në SHBA dhe duke qenë se nuk po përparonin hetimet në një kohë që afatet për personat e pandehur po ecnin, atëherë prokuroria e kishte të veçuar dosjen e Aleks Nikës, për këtë arsye mori dhe bashkoi dhe vrasjen e Hekuran Dedës.
Gjatë kësaj kohe ka pasur një vënie në lëvizje të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në fakt familjarët e kanë vënë në lëvizje këtë Gjykatë përpara 6 vitesh, por për arsye të paqarta Gjykata Europiane nuk ka bërë asnjë seancë, apo marrje në shqyrtim, kohët e fundit nga informacionet që disponoj dhe në biseda që kam pasur me prokurorë se është grup hetimi i kryesuar nga Marjeta Zaimi ai që po merret me këtë çështje, është vënë në lëvizje nga avokatura e shtetit dhe i ka kërkuar informacion qeverisë shqiptare në çfarë faze ishin hetimet për 21 janarin, së pari. Së dyti Gjykata Europiane e të Drejtave Njeriut ka dhënë disa direktiva se si institucionet shqiptare mund të qaseshin dhe mund të gjenin prova për 21 janarin. Nga 20 janari prokuroria ka marrë kohën e nevojshme për të parë situatën ku ndodhet”, deklaroi Lala.

Cila është pika e parë që prokuroria është duke parë në këto momente? Lala tha se predha e nxjerrë nga mjekët turq nga trupi i Aleks Nikës rezulton e dëmtuar, por në dritën si e kanë parë gjykatësit e Strasburgut rezulton që për shkak të zhvillimeve shumë të mira teknologjike dhe specializimit të ekspertëve, ata mendojnë që kjo predhë mund të japë rezultate të reja sa i përket hetimit, mund të riekspertohet.
“Për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt nuk është hapur sepse duke qenë se ka një vendim gjyqësor, e vetmja mënyrë për t’u rihapur është që të shkohet në gjykatë dhe të kërkohet vënia në lëvizje e çështjes për shkak të një prove të re që mund të dalë gjatë kohës. Rasti i Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja e disa protestuesve ka qenë çështje e pezulluar. Rastet kur çështjet janë të pezulluara, është atribut i prokurorit dhe në rastin konkret zonja Zaimi e ka atribut të detyruar nga ligji që nëse konstaton që ka të dhëna të reja jo domosdoshmërisht prova të re, por të dhëna, apo indicie atëherë mund të rihapet hetimi.
Një gjë tjetër që prokuroria po kërkon ka të bëjë me një riekspertim të trajektores së qitjes. Prokuroria ka dyshime që kjo është një e dhënë që mund të ishte parë dhe më përpara. Ajo ngjarje mbeti e pahetuar për një arsye tjetër, zhdukja e serverit të kryeministrisë. Nëse ai server do ekzistonte, do ishte zbardhur ngjarja. Problemi është që të gjitha lëvizjet kanë qenë të filmuara dhe aty mund të shihej se çfarë lëvizje bënë oficerët e gardës”, deklaroi Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb