Ish- deputetja e LSI, Floida Kërpaçi u ka kërkuar prindërve, nxënësve dhe mësuesve të ushtrojnë presion ndaj institucioneve që kanë dështuar të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit në shkolla.

Kërpaçi thotë se mësuesit duhet të bëhen bashkë dhe të mos pranojnë kushtet e pafavorshme që cënojnë shëndetin e tyre dhe familjarëve.

Ajo thotë se tani është koha që të refuzohet çdo rrezik për shëndetin dhe të ngrihet zëri.

Ditën e djeshme Ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi se shkollat në të gjithë Shqipërinë do të hapen në shtëtor dhe se 87% e prindërve dhe nxënësve në pyetësorë kishin votuar për diçka të tillë.

Shkollat në Shqipëri u mbyllën në mars për t’u hapur në maj pjesërisht vetëm për maturantët teksa në shtator do të presin të gjithë nxënësit me masa ndaj COVID-19.

 

STATUSI NGA FLOIDA KËRPAÇI

Për të gjithë nxënësit dhe prindërit që kemi komunikuar në vazhdim përsa i përket frikës së rinisjes së vitit shkollor, sygjerimi im mbetet i njejtë. Përmes këshillit të prindërve ngritur pranë çdo shkolle, qeverive të nxënësve, peticioneve dhe çdo forme komunikimi tjetër, ky është momenti për të ushtruar presionin e nevojshëm drejt institucioneve që kanë dështuar në marrjen e masave për garantimin e shëndetit të nxënësve pa cënuar planin arsimimin i cili duhet të jetë i plotë dhe tu jepet nxënësve në një mënyre sa më të lehtë për ta.
Është koha që dhe mësuesit të bëhen bashkë për të mos pranuar kushte të pafavorshme pune që mund ti vendosin në rrezik për shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe në kushte stresi të rritur.
Pavarësisht pandemisë Covid19, e drejta për arsim cilësor, ashtu si e drejta për kujdes shëndetësor dhe për kushte dinjitoze në punë, janë të patjetërsueshme dhe çdo argument që ofrohet nga strukturat e papërgjegjshme të instituconeve publike janë asgjë tjetër por justifikime.

Koha është tani!
Refuzoni çdo rrezik për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve!
Ngrini zërin për të drejtat tuaja!

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb