TIRANË
Drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ka reaguar pas shembjes së njërës prej godinave historike.

Përmes një deklarate për mediat, drejtoresha e këtij institucioni Eliona Demaliaj nënvizon se fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, është një moment shumë i rëndësishëm, jo vetëm për stafin mjekësorë të këtij institucioni, por edhe për ofrimin e një kujdesi dinjitoz për nënat e reja dhe fëmijët.

Më tej ajo shton se pjesa e shembur që do të ndërtohet, ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do të rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike të saj.

“Fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si staf mjekësor, por së pari për kujdesin dhe shërbimin dinjitoz për nënat e reja dhe fëmijët.

Ky projekt ruan autenticitetin e godinës historike dhe rindërtohet dhe zgjerohet shtesa që ishte dëmtuar nga tërmeti.

Pjesa e shembur që do të ndërtohet, ishte jashtë funksionit që prej tërmetit të shtatorit, sepse nuk kishte siguri për shkak të dëmtimeve dhe ishte e rrezikshme për të punuar dhe për të mbajtur aty nënat dhe të porsalindurit. Ndërsa godina kryesore do të rehabilitohet, do të ruhet fasada dhe gjithë elementet historike të saj. Ky është një projekt i shumëpritur për ne si staf mjekësor, pasi do të sigurojë kushte dinjitoze për nënat e reja dhe fëmijët që vijnë në jetë në maternitetin tonë por edhe do të dyfishohen kapacitetet, gjë që është mëse e nevojshme”, u shpreh Demaliaj.

Qeveria shqiptare ka vendosur të rikonstruktojë rrënjësisht maternitetin Mbretëresha Geraldinë, duke nisur me prishjen e njërës prej dy godinave historike të shpallura nga qeveria monument kulture i kategorisë së dytë. Prishja e objektit ka filluar paraditen e të shtunës, datë 20 mars 2021, ndërsa në hyrje të maternitetit është vendosur projekti i ndërtesës së re që ka vetëm një kat të shtuar në njërën nga dy godinat muzeale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb